“Daullet për Paqen” trokasin në Tiranë

schedule17:40 - 21 Mars, 2019

schedule 17:40 - 21 Mars, 2019

Mirëkuptimi dhe paqja sipas kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, sot janë më të nevojshme se kurrë në vendin tonë. Apeli i kryebashkiakut vjen nga sheshi “Skënderbej” në aktivitetin e Ambasadës Franceze “Daullet e paqes”.

“Daullet për Paqen” trokitën dhe në sheshin “Skënderbej” në kryeqytet. Në aktivitetin e organizuar nga Bashkia e Tiranës dhe ambasada franceze, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se sot më shumë se kurrë ka nevojë për mirëkuptim dhe paqe.

“Më pëlqen shumë ideja e daulleve të paqes, ndërkohë në të gjithë botën sot, edhe në Shqipëri, por edhe në Francë, ka shumë njerëz që i bien daulleve të sherrit, daulleve të dhunës, daulleve të përçarjes, daulleve të stërkëmbëshave, daulleve që zgjojnë ndjenjat më të këqija të njerëzimit. Pyetja që kemi sot është: cilave daulle u biem? Daulleve të engjëjve apo daulleve të djajve? Daulleve të paqes apo daulleve të luftës e të sherrit? Unë besoj se sot kemi nevojë më shumë për këtë mirëkuptim dhe paqe”.

Kryebashkiaku huazoi shprehjen franceze, ndërsa theksoi se Shqipëria ka nevojë më shumë për vëllazëri, barazi dhe liri.

“Ashtu siç është shprehja franceze se vëllazëria, barazia dhe liria janë tre shtyllat e një stoli, i cili s’mund të qëndrojë as me një këmbë, as me dy këmbë, por me tre këmbë, dhe besoj se për këto tre shtylla kemi nevojë më shumë në Shqipëri. Vërtet ndodhin gjëra dekurajuese: ti ndërton, dikush shkatërron, ti ndërton, dikush thyen, ti ndërton, dikush prish. Por, kur shikoj fëmijët që janë këtu sot, e jo vetëm këtu, por në të gjithë Tiranën dhe gjithë Shqipërinë, më jep shumë shpresë fakti se po vjen një gjeneratë e re që e merr paqen seriozisht”.

Edukimi dhe përgatitja e gjeneratës tjetër vlerësoi Veliaj nuk duhet të jetë vetëm brenda orës së mësimit, por dhe me aktivitet në komunitet./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!