Tirana mori një fitore shumë të rëndësishme në klasiken e Shqipërisë përballë Vllaznisë në “Loro Boriçi”, teksa triumfoi me shifrat 2-1.
Pas ndeshjes trajneri Orges Shehi është shfaqur shumë i lumtur për këtë fitore, ndërsa nuk nguroi të përgëzonte edhe lojtarët për lojën e zhvilluar.
“E kisha menduar ndeshje të vështirë përballë një kundërshtari që ka cilësi. Ndeshje rivalësh, që i kishte tre rezultatet. Skuadra reagoi mirë, ndryshuam modul pastaj pas penalltisë. Përgëzime lojtarëve, merita është e tyre. Gjithçka ecën kur lojtarët të ndjekin, kanë përqendrim dhe interpretojnë mirë modulet. Më vjen mirë që skemat na ecën.
Fillimi i lojës nuk ishte i mirë, edhe për shkak të presionin, trysnisë dhe entuziazmit të Vllaznisë. Kur dolëm në 4-3-3 klasik, ne filluam të dilnim rrjedhshëm në sulm, dhe duke mos u rrezikuar nga kundërshtari. Ndoshta është edhe faji im që nuk gjeta modulin e përshtatshëm në fillim.
Egoizëm te skuadra? Rasti i Devid ishte offside. Sulmuesit janë sulmues, sulmuesi është pak egoist nga natyra, por mendoj se në shumicën e rasteve kemi shërbyer. Nuk ishte e tepruar sot. Rëndësi ka që jemi solidë, jemi skuadër me karakter dhe nuk dorëzohemi deri në fund.
Penalltia? Ndeshja do vështirësohej nëse shkonte 2-0. Mendoj se penalltia është meritë e portierit, që nga vendosja, qëndrimi në mes të portës dhe sa e vë kundërshtarin në vështirësi. Kishim kujdes gjithmonë, sepse Vllaznia ka lojtarë cilësorë përpara, të cilët nuk rikthehen në fazën mbrojtëse, por janë të frikshëm në fazën e tranzicionit”, deklaroi trajneri i ekipit kryesues. /f.a/abcnews.al