Ka shkaktuar tensione, përplasje e bllokime rruge aksioni i Inspektoriatit për Mbrojtjen e Territorit për të nxjerrë 15 persona nga një banesë që gjendet në afërsi të zonës së liqenit Artificial, jo shumë larg shkollës “Petro Nino Luarasi”. Familjarët kanë bllokuar rrugën rreth orës 10.00, kur punonjësit e një zyre përmbarimore kanë hasur në rezistencën e tyre për të liruar banesën. Në këtë kohë u kërkua dhe ndërhyrja e forcave të rendit. Banorët e banesës 2 katëshe kanë dalë edhe në rrugën kryesore, duke u shtrirë mbi asfalt dhe duke bllokuar qarkullimin e mjeteve. Përplasjet fizike mes tyre dhe forcave të rendit nuk kanë munguar, ndërkohë që një zjarr i vënë brenda banesës ka bërë të nevojshme dhe ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse. Disa prej familjarëve janë dërguar me urgjencë në spital për të marrë ndihmë mjekësore për shkak të gjendje të asfiksisë së shkaktuar nga situata e tensionuar.
Konflikti për këtë pronë zgjat prej disa dekadash. Siç deklaroi sot njëri prej banoreve të saj, prej 23 vitesh ata janë në konflikt gjyqësor me pretenduesin si pronar trualli, i cili ka fituar procesin gjyqësor për kthimin e kësaj prone. Familjarët nga ana tjetër pretendojnë se banesën e kanë përfituar nga enti i banesave dhe se pretenduesi i këtij trualli ka falsifikuar dokumentet për të patur pronësinë e tokës, e cila gjendet në një ndër zonat më të mira dhe më të kërkuara në kryeqytet.
/abcnews.al