Avokati Idajet Beqiri në “Ora e Fundit” në ABC News e cilëson protestën e opozitës si një aktivitet të konsumuar dhe të bajatshëm për qytetarët e Tiranës. Sipas tij, pjesëmarrësit janë të paktë në numër dhe përballen me një bojkot e indiferencë totale nga publiku.
Beqiri pretendon se protestuesit nuk janë aty për shkak të kauzës, por sepse paguhen si të punësuar me turne për orët që kalojnë në shesh. Ai shton se pas organizimit qëndrojnë njerëz të afërt me Sali Berishën dhe Shkëlzen Berishën, të cilët financojnë këtë qëndresë me çdo kusht. Në përmbyllje, avokati shprehet se ky grup po tenton vetëm të mbajë gjallë tensionin, ndërkohë që Pengon rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
“Ata tashmë janë bërë bajat. Edhe vetë nuk po arrijnë që ta kuptojnë që janë bërë tejet të mërzitshëm për qytetarët e kryeqytetit. Janë bërë një e keqe që po i shqetëson përditë dhe po i lodh. Edhe pse po shikoj një indiferentizëm total të qytetarëve ndaj tyre, një bojkotim total, nuk u hedhin as sytë.
Ata përsëri vazhdojnë, sepse janë turni i dytë, janë i të punësuar. Marrin pagën ata për ato orët që harxhojnë dhe për klimat që bëjnë. Pagën e tyre ne e kemi thënë se kush e paguan. Këta janë të punësuar, atje ka ngelur vetëm garnitura më e keqe e Sali Berishës dhe Shkëlzen Berishës. Ata duan që ta mbajnë me çdo kush protestën.
Faktet janë kokëforta, sepse Progni është i Flamur Nokës dhe ai merret me atë. Janë futur disa të tjerë, që mua më vjen keq. Kur ha të hash çorbën e prishur, je i detyruar që të hedhësh valle ashtu siç do Saliu. Është kthyer thjesht edhe vetëm në një grusht njerëzish, që qëllim të vetëm të vazhdojnë ulërimën. Shqipëria do të bëhet anëtare e BE dhe ata nuk e duan këtë gjë. Berisha vazhdon me të vetat duke e vjedhur, duke mos i lënë asnjë gjë, kurse këta të tjerët ulërijnë atje”, tha Idajet Beqiri.

