Kukësi duhet të fitojë në Laç/Milinkoviç rrezikon postin

schedule12:06 - 25 Nëntor, 2017

schedule 12:06 - 25 Nëntor, 2017

Vetëm fitoret e shpëtojnë nga shkarkimi trajnerin e Kukësit, Mladen Milinkoviç. Tekniku serb e di mirë se çfarë kërkohet prej tij, ndërsa tregon mënyrën për të shpëtuar veten dhe sezonin

Rrezikoi seriozisht të shkarkohej pas ndeshjes së fundit.

Humbja me Partizanin brenda në Kukës ia lëkundi pozitat trajnerit Mladen Milinkoviç, ndonëse presidenti Gjici, vendosi t’i jepte sërish shans.

Pavarësisht besimit ende të madh që kreu i klubit ka tek tekniku serb, ky I fundit e ka të qartë se çfarë kërkohet prej tij, madje që në ndeshjen e sotme në Laç.

“Që ditën e parë që kam ardhur te Kukësi, e kam ditur se kemi një president serioz që beson tek unë. Po ashtu, përgjegjës kur një ekip nuk ecën mirë është gjithnjë trajneri, ndaj edhe unë nuk dua të përfitoj nga besimi i presidentit. Për këtë arsye, fola me presidentin, për të marrë vendimin më të drejtë. Presidenti më dha besim, por nuk jam naiv, dhe e di se nëse rezultatet nuk ecin, nuk mund të vazhdojmë pa fund në këtë mënyrë, pasi dëmtojmë Kukësin”.

A ka besim Milinkoviç se mund të shpëtojë veten dhe që mund ta kthejë Kukësin në synimet e vendosura nga presidenti?

“Plani ynë është që në dy ndeshjet e ardhshme të mundohemi që të marrim 6 pikë dhe jam i sigurt se nëse në këto dy takime marrim pikët e plota, atëherë jemi brenda objektivave që kemi vendosur në fillim të sezonit.Kemi punuar shumë gjatë javës nga ana psikologjike që të mos humbasim besimin tek vetja. Besoj se do të kthehemi tek fitorja, pavarësisht se kemi një ndeshje të vështirë në fushën e Laçit”.

Milinkoviç deklaroi se problemi më i madh për ekipin është pësimi i golave, dhe kjo nuk është vetëm dobësi e mbrojtjes, por e gjithë skuadrës.

Po ashtu, shqetësim tjetër është humbja e rasteve, pasi ndryshe Kukësi do të kishte më shumë pikë.

Së fundi, trajneri serb inkurajon lojtarët me probleme si mbrojtësin Alla apo sulmuesin Alijev, duke i dhënë besimin se ata do të kthehen shpejt në formën më të mirë./abcnews.al