Mehmeti: Në Laç për fitore, duhet të tregohemi më cinikë përpara portës

schedule11:11 - 30 Janar, 2022

schedule 11:11 - 30 Janar, 2022

Partizani do të luajë me Laçin ndeshjen e javës së 18-të të Abissnet Superiores, sfidë që zhvillohet ditën e nesërme në orën 13:45 në Kurbin.

Demat pas barazimit zhgënjyes me Kastriotin javën e kaluar do të kërkojnë 3 pikët ndaj skuadrës laçiane e cila është një nga skuadrat që po kalon një moment të mirë në kampionat, teksa aktualisht renditen në vendin e dytë.

Trajneri Dritan Mehmeti në konferencën për shty, ka folur për përballjen me kurbinasit, teksa ka theksuar se do e “godasë” Laçin në pikat e tyre të dobëta. Ndërkohë merkatoja e të kuqve mund të quhet e mbyllur me afrimin e mesfushorit të kombëtares kongoleze dhe lojtarit serb.

Gjendja e skuadrës? Gjendja e skuadrës ka qenë pjesërisht e mirë, duke pasur parasysh se fillimi i ndeshjes ditën e enjte dhe intensiteti i ndeshjeve jep ngarkesën maksimale në aspektin psiko-fizik. Megjithatë jemi të barabartë si kundërshtari, sepse edhe Laçi ka luajtur në mesjavë dhe do shkojmë si të barabartë në Laç.

6 ndeshje radhazi pa fituar kundër Laçit, a ndikon kjo te skuadra? Normalisht kjo nuk ndikon te lojtarët sepse ata nuk merren me statistika. Skuadra e Laçit të imponon respekt, megjithatë ne nuk shikojmë çfarë është bërë përpara, do shikojmë se çfarë do bëjmë ne. Të bëjmë maksimumin dhe atë çfarë mund të na dhurojë fusha e lojës.

Kundërshtarët direkt Partizani ka mundur vetëm Teutën, si e shikoni këtë fakt? Do e them shumë shkurt se Partizani do fokusohet te ndeshja e radhës dhe nuk më intereson çfarë ka bërë skuadra më përpara. Është shumë e rëndësishme që ne të rrisim cilësinë e lojës dhe të shkojmë drejt fitores.

Stenio Junior? Lojtari ka pasur probleme në ndeshjen me Dinamon, me konsultimet e stafit mjekësore, ne do të dalim në përfundim se cila është gjendja e tij dhe për të mësuar edhe kohën e rikuperimit. Shpresoj të rikthehet sa më shpejt. Për nesër mundësitë janë 50/50.

Skuadra krijoi raste ndaj Dinamos por nuk finalizoi, keni punuar me ekipin në këtë aspekt? Kemi punuar me pjesën e finalizimit se duke parë që skuadra shkon deri te zona kundërshtare, aty është faktori psikologjik që ndikon. Lojtarët duhet të jenë të qetë dhe shumë të ftohtë në mënyrën se si duhet të përjetojmë realizimin e golit dhe përballë portierit.

Ndeshja me Laçin? Është e rëndësishme që ne të ndryshojmë në varësi të kundërshtarit, ta respektojmë atë dhe të marrim masat për ta goditur Laçin në pikat e dobëta, sepse si çdo skuadër tjetër edhe ato kanë problemet e tyre. Ne do marrim parasysh të jemi cinikë, patjetër që do shkojmë për rezultat.

Barazimi? Do ta konsideroja barazimin në varësi se si shkon ndeshja. Partizani shkon vetëm për fitore, por pastaj çfarë sjell interpretimi i lojës tonë në 90 minuta, pas ndeshjes do të them nëse do jem i kënaqur me barazim apo jo.

Merkato? Skuadra ka arritur marrëveshjen me mesfushorin kongolez, 22-vjeçar, Masanga Mattongo dhe lojtarin serb Milan Miroslavjev të cilët do të jenë pjesë e skuadrës. /f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!