Të shtëna me armë në Vlorë, dy viktima dhe një i plagosur

schedule13:20 - 17 Shkurt, 2019

schedule 13:20 - 17 Shkurt, 2019

Dy persona u ekzekutuan sot në Vlorë, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur gjatë një sulmi me armë zjarri për motive ende të panjohura. Viktimat janë Orest Rexho dhe Arjan Hasani. Ndërsa i plagosur ka mbetur Armando Sulejmani, i cili dyshohet se ishte shënjestra e atentatit. Dy kallashnikovë u gjetën në makinën e djegur që dyshohet se u përdor nga autorët.

Tre të rinjtë po lëviznin me një mjet “Passat” kur një tjetër makinë u preu rrugën tek Uji i Ftohtë në Vlorë. Dy persona të maskuar hapën zjarr me breshëri kallashnikovi dhe për pak minuta u larguan me shpejtësi nga vendi i krimit.

Orest Rexho dhe Arjan Hasani u vranë në vend. Trupi i të parit u gjet në rruge, kurse viktima e dytë brenda në makinë në një distancë tre metra. I plagosur mbeti 42-vjeçari Armando Sulejmani me pseudonimin “Çipuri” i cili supozohet që ishte dhe shënjestra e këtij atentati mafioz.

Ai humbi kunatin dhe shokun e tij. Kurse autorët braktisën mjetin në Babicë, aty ku policia e gjeti në flakë.

Banori: Thamë mos qe dasëm se hedhin fishekzjarret këta të dasmës dhe e morëm për dasëm. E dëgjuma se u vranë se dëgjuam një gjiton dhe erdhëm këtu poshtë.

Pyetje: Të plagosurin e ndihmoi njeri?

Banori: S’e di.

Besohet që e gjitha ka lidhje me një histori të gjatë hakmarrjeje, e cila nis me “Masakrën e Çoles” në vitin 2015, ku u vranë tre vetë.

Megjithatë nuk jepen detaje të mëtejshme rreth hasmërive të shënjestres me autorët e asaj ngjarjeje. Armando Sulejmani ose “Çipuri”, njihej si pjesëtar i ish-bandës së Gaxhait.

Në vitin 2016, atij iu bë një atentat kur po futej në banesën e tij në lagjen “Pavarësia” në Vlorë, ku i shpëtoi 11 plumbave duke e kapur vetëm njëri prej tyre./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!