Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, tha në Samitin BE-Ballkani Perëndimor se anëtarësimi në BE mund të rrisë PBB deri në 40% brenda 15 viteve, sipas studimeve të FMN.
Kos shtoi se vendet e rajonit mund të përfitojnë ekonomikisht edhe përpara anëtarësimit, duke përmendur si shembull integrimin në zonën SEPA, që ka ulur ndjeshëm kostot e transfertave. Kos theksoi rëndësinë e investimeve në ekonomi dhe se Ballkani Perëndimor duhet të shfrytëzojë pozicionin strategjik për të forcuar zinxhirët e vlerës dhe konkurrueshmërinë europiane.
“Studimet e fundit të FMN-së tregojnë se anëtarësimi në BE mund të rrisë PBB-në deri në 40 për qind brenda 15 viteve. Argumentet ekonomike mbeten bindëse dhe, në vendet që po i afrohen BE-së, nuk mund të kishte moment më të mirë se ky. Mundësitë ekonomike pritet të rriten, ne po modernizojmë mënyrën se si mund të futeni në BE dhe përfitimet do të jenë edhe përpara anëtarësimit.
Përmes SEPA-s, qytetarët po përfitojnë nga transaksione më të shpejta, ndërsa kostot janë 94 për qind më të ulëta se më parë. Edhe Kosova dhe Bosnja, nëse përmbushin kushtet, mund t’i afrohen zonës SEPA.
Synojmë të mundësojmë akses në disa sektorë, përfshirë ekonominë dhe transportin, dhe të zhvillojmë teknologjinë digjitale. Kjo qasje do të na mundësojë të ndërtojmë zinxhirë vlere dhe të ulim varësinë tonë nga pjesa tjetër e botës.
Ndërprerjet e fundit në tregtinë globale kanë treguar se sa e cenueshme është Europa. Shumë prej korridoreve tregtare kalojnë përmes Ballkanit Perëndimor. Në kushtet kur shumë prej korridoreve globale janë nën presion, Ballkani Perëndimor duhet të shfrytëzojë pozicionin e tij në hartën e Europës.
BE-ja po shton mbështetjen për sektorin privat. Rajoni ka shumë biznese dhe sipërmarrës ambiciozë, si dhe potencial në rritje. Mundësitë ekonomike po shtohet dhe reformat që lidhet me kushtet e anëtarësimit favorizojnë kushtet e investimeve. Ballkani Perëndimor do të jetë pjesë e Bashkimit Europian. Prandaj thirrja ime për të gjithë ju është shfrytëzojeni këtë mundësi.”



