Një bankë dhe tre kompani nga Serbia janë propozuar nga Komisioni Europian për tu futur nën sanksione, me arsyetimin se ato po ndihmojnë Rusinë.
Banka API ka ofruar shërbime pagesash ose shërbime të lidhura me asetet kripto, duke e ndihmuar Rusinë t’u shmanget ndalesave europiane.
Banka operonte me humbje para pushtimit rus, ndërsa pas vitit 2022 nisi të regjistronte fitime në miliona euro.
Tri kompanitë e tjera janë identifikuar si subjekte që kanë eksportuar drejt Rusisë mallra me përdorim të dyfishtë – të cilat mund të përdoren si për qëllime civile, ashtu edhe për ato ushtarake.
Me propozimin e ri Komisioni Evropian synon po ashtu ta zgjerojë ndalimin e transaksioneve me rreth 60 banka ruse, të cilat do të përjashtoheshin nga sistemi ndërkombëtar bankar SËIFT.
Në shënjestër janë edhe rrjetet e kriptovalutave dhe të pagesave në Rusi, si dhe në vendet e treta që e ndihmojnë Moskën t’u shmanget ndalimeve.
Për herë të parë, sanksionet pritet të përfshijnë edhe shërbimet në sektorin e energjisë elektrike, ndalimin e hyrjes në BE për ish-luftëtarët rusë dhe ndalimin që shtetasit e BE-së të jenë pjesë e organeve drejtuese të kompanive në Rusi.
Masat pritet të përfshijnë edhe sportin dhe kulturën.
Ekipet dhe sportistët rusë nuk do të mund të garojnë nën flamurin rus në ngjarjet sportive në BE, ndërsa do të kufizoheshin edhe transferet financiare nga sponsorët rusë drejt organizatave sportive dhe kulturore evropiane.
Shtetet anëtare duhet ta shqyrtojnë dhe miratojnë paketën e 22 të sanksioneve të propozuar nga Komisioni Europian në Këshillin e BE-së.
Për vendimin politik kërkohet unanimitet.



