Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, e ftuar mbrëmjen e së enjtes në “Log” me Endri Xhafon ka folur edhe për iniciativën “Open Balkan” Nikolla tha se, përkundër atyre që mund të thuhen, ajo si kryeparlamentare nuk ndihet e lënë mënjanë apo e jo përfshirë pasi kemi të bëjmë me një nismë qeverish.
“Parlamenti po bën të mundur që vendimmarrjet të kthehen në ligje. Do të kemi shumë nisma ligjore që i përkasin Open Balkans në vijim.”
Po ashtu, kryeparlamentarja tha se thuajse në të gjitha takimet diplomatike që ajo mban Kosova është çështje diskutimi me homologët e saj duke kërkuar edhe lobim për zmbrapsjen e fushatave të Serbisë për mos njohje.
E pyetur nëse situata në PD mund të ndikojë në proceset integruese të vendit, Nikolla thotë që kjo ka pak gjasa që të ndodhë.
“Nuk e besoj. Është konfirmuar në progres-raport. Shqipëria i ka bërë detyrat e veta. I ka përmbushur kushtet për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Sassoli kur e takova më tha që është e papranueshme që Evropa të mos e mbajë premtimin që i ka dhënë Shqipërisë.”
Por a do të ishte më mirë që Shqipëria të mos shkëputej nga Maqedonia e Veriut në procesin e integrimit? Kryetarja e Kuvendit mendon se ne si vend i kemi bërë detyrat dhe nuk do të ishte e drejtë që të penalizoheshim derisa fqinji ynë të zgjidhë ngërçin me Bullgarinë.
“Është çështje njësie matëse. Detyrat janë të përcaktuara për çdo vend. Dëshira është të progresojnë të dyja vendet. Ne nuk mund të mbetemi peng ndërsa i kemi realizuar detyrat tona. Po nëse vendoset që Shqipëria të vijojë përpara, sa të zgjidhen problematikat me Bullgarinë, është e mirëpritur ecja jonë para.” /abcnews.al/