Për 34 të arrestuarit në protestën e 8 janarit janë dhënë sot masat e sigurisë. Mësohet se gjykata ka caktuar “detyrim paraqitjeje” për 28 prej tyre ndërsa për gjashtë të tjerët nuk është vendosur masë sigurie.
Në bilancin e prokurorisë nënvizohet se të arrestuarit akuzohen për vepra penale të ndryshme si “Shkatërrim prone”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Pas përfundimit të seancës, Anëtarja e Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit në PD, Albana Vokshi tha para mediave se 18 demokratët kanë protestuar në mënyrë paqësore. Ajo theksoi se është e rëndësishme që prokuroria të bëjë hetime të thelluara në lidhje me këtë çështje dhe të nxirren para drejtësisë dhunuesit e vërtetë.
“Edhe seanca e sotme për masat e sigurisë së 18 protestuesve, dëshmoi që protesta e 8 Janarit ishte paqësore deri në fund. Të 18 demokratët nuk implikuan në akte të dhunshme, nuk pati asnjë pamje filmike, unë emrat e tyre nuk po i lexoj, 18 demokratët kanë protestuar në mënyrë paqësore. Pa pasur asnjë fakt, arrestimi ishte i paligjshëm, janë bërë me lista të përgatitura dhe të shpërndara, për të çuar deri në fund skenarin. Ajo çka u vërtetua ishte se as organet ligjzbatuese nuk reaguan në kohën e duhur pavarësisht se me 6 janar u raportua për to për persona me të shkuar kriminale. U sulmuam nga lart me sende të forta.
Hetimet do të vazhdojnë edhe në gjendje të lirë dhe shpresoj që të bëhen të thelluara dhe përgjegjësit e vërtetë të dalin para drejtësisë. Ka pasur dhunë dhe të lënduar,. Por nuk mund të arrestohen protestuesit që donin të futeshin në shtëpinë e tyre. Është shtëpia jonë, pse unë dhe anëtarët e tjerë të komisionit nuk lejohen të futen në shtëpinë e tyre?”, ka thënë Vokshi. /abcnews.al/