Presidenti i SHBA Joe Biden do të zhvillojë bisedime me presidentin rusë Vladimir Putin për herë të dytë në këto muaj në një përpjekje për të ulur tensionet rreth Ukrainës. Dy liderët do të flasin në telefon të enjten. Sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë, SHBA u konsultua me krerët evropianë përpara kësaj telefonate në mënyrë që të bashkërendonte një përgjigje të përbashkët për këtë çështje.
Zyrtarët ukrainas të sigurisë thonë se më shumë se 100,000 trupa ruse janë dërguar pranë kufirit të tyre të përbashkët. Autoritetet amerikane kanë kërcënuar Putinin me sanksione nëse Ukraina sulmohet. Zoti Biden do t’i ofrojë homologut të tij rus një rrugë diplomatike por mbetet shumë i shqetësuar nga grumbullimi i trupave ruse në kufi tha një zyrtar amerikan për agjencinë e lajmeve “AFP”.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken foli të mërkurën me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky raporton “BBC”. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price deklaroi se Blinken i kishte përsëritur mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Rusia ka thënë se dëshiron garanci ligjërisht të detyrueshme që NATO nuk do të lëvizë drejt lindjes dhe se nuk do të dërgohen armë në Ukrainë apo në ndonjë vend fqinj.
Presidenti i Lituanisë Gitanas Nauseda e ka përshkruar situatën aktuale si ndoshta më të rrezikshmen që ka ndodhur në 30 vjet. Zyrtarët rusë do të takojnë homologët e tyre amerikanë në Gjenevë më 10 janar. / abcnews.al