PD demokratike po bën gati një padi për skandalin e publikimit të pagave. E ftuar në Abc Live, nënkryetarja e PD Jorida Tabaku iu përgjigj akuzave të kryeministrit Edi Rama i cili akuzoi opozitën për publikimin e të dhënave. Ajo tha se pas 9 vitesh opozitë ky nuk është më justifikim, duke e quajtur një strategji të Ramës akuzat për opozitën.
“Është bërë normale që për çdo faj problem korrupsion aferë ta ketë fajin PD. Pas 9 vitesh opozitë ky nuk është më justifikim. Ky skandal lidhet me patronazhistët. Tani janë publikuar dhe targat. Këto janë bërë për t’i vendosur këto të dhëna në funksion të zgjedhjeve.
Di që zoti Alibeaj është duke punuar për këtë dhe sigurisht që do ngrihen dhe padi. Elementi i parë te pagat lidhet me pagat e koncesioneve, koncesionarët kanë paga dyfish sa çdo person tjetër në provat. Ky është alarm i jashtëzakonshëm, që ata të kenë paga më të larta se çdo punonjës tjetër i sektorit privat. Publikimi i të dhënave shkakton pakënaqësi edhe në sektorin privat. Ka vetëm një përgjegjës për këtë dhe ai është Edi Rama”, tha ajo.
A ka një skenar gati PD në rast se Berisha dhe mbështetësit e tij mësyjnë në PD nëse Basha nuk zbaton paralajmërimin e ish-kryeministrit pë t’u larguar? Tabaku duke mos folur për një skenar dha një mesazh të qartë për Berishën duke thënë se dhuna nuk mund të fitojë mbi argumentin.
“Unë nuk e parashikoj dot të ardhmen, por di të them që nuk besoj se ka demokrat që beson dhe mendon se dhuna mund të fitojë mbi argumentin dhe thyerjet mbi logjikën. Të gjithë duhet të mendojmë se çfarë mund të bëjmë më mirë, s’po kalojmë ditë të lehta por shqetësimi im është për qindra demokratë. Të ardhmen se parashikoj dot.Zoti Paloka dhe kolegët e tjerë kanë votuar dhe kanë marrë pjesë në aktivitete që s’janë statutore. PD e shoh në ditë të vështira dhe me pak mërzi situatën në të cilën ndodhemi por nuk ka asgjë që Pd nuk mund ta kapërcejë”. be.k/abcnews.al