Bashkë me arrestimin e Lefter Kokës, SPAK shpalli në kërkim sot edhe dy persona të tjerë me akuzën e korrupsionit si edhe të pastrimit të parave.
SPAK shpjegon se e gjitha lidhet me ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit, ku Lefter Koka, në cilësine e ministrit të Mjedisit ka shkelur procedurat për dhënien e licencës dhe miratimin e vijimit të ndërtimit të objektit, ndërsa dy personat e tjerë, akuzohet se kanë pastruar para dhe kanë dhënë rryshfet në dretim të Kokës me qëllim sigurimin e lejes për ndërtimin e inceneratorit për të gjeneruar më pas fatura fiktive duke u vjedhur shtetit rreth 3.6 milion euro.
Pas hetimeve të kryera, SPAK ka zbuluar se shuma prej 3.6 milion eurosh i është dhënë në formë rryshfeti pikërisht Lefter Kokës.
“Gjatë hetimeve paraprake për këtë proçedim penal janë mbledhur dhe janë siguruar provat e nevojshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shumat monetare 368.672.760 lekë dhe 91.963.141 lekë, që iu janë faturuar shoqërive “Albtek Energy” sh.p.k. dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. dhe që janë paguar më pas nga këto dy shoqëri tregtare, përbëjnë përfitime materiale të parregullta që i janë dhënë shtetasit L.K., në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k. në zhvillimin e proçedurës së dhënies së konçensionit dhe në lidhjen e kontratës së konçensionit me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”, shpjegon SPAK.
Mësohet se dy të shpallurit në kërkim janë Stela Gugallja, në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k si edhe Klodian Zoto, në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k.
Kujtojmë se kompania “Integrated Technology Services” sh.p.k. ka në pronësi edhe inceneratorin e Tiranës.
Si funksiononte skema
Pasi morën lejen përmes dhënies së rryfshfetit në drejtim të Lefter Kokës sipas SPAK, inceneratori i Elbasanit, në pronësi të kompanisë “Albtek Energy” sh.p.k, e administruar nga Stela Gugallja bënte fatura fiktive duke i faturuar punë të pakryera kompanisë “Integrated Technology Services” sh.p.k.
Duke qenë se inceneratorët ishin projekte, të cilat u ndërtuan me fondet e shtetit shqiptar, ishte buxheti që duhej të përballonte këto pagesa.
Rrjedhimisht, sipas SPAK, nëpërmjet kësaj skeme, buxhetit të shtetit i janë shkaktuar rreth 3.6 milion euro dëm. Këto para sipas SPAK i kanë kaluar në formë rryshfeti Lefter Kokës.
Pasi janë faturuar në mënyrë fiktive, sipas SPAK, shuma prej 3.6 milion euro i ka kaluar Lefter Kokës sërish përmes faturave fiktive, tashmë të lëshuara nga dy kompanitë “Albtek Energy” sh.p.k dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. ndaj kompanive në pronësi të ish-ministrit apo të të afërmve të tij.
Pjesë nga shpjegimi i SPAK:
Nga veprimet hetimore të kryera dhe nga vlera provuese e provave të mbledhura krijohen dyshime të arsyeshme dhe të bazuara në prova dhe krijohet bindja se nga shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k. (shoqëria që ka përfituar konçensionin) dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. (shoqëria që ka zbatuar punimet për ndërtimin e objektit të konçensionit) janë pranuar fatura tatimore shitje dhe janë paguar detyrimet financiare për këto fatura tatimore për disa shoqëri tregtare, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer nga këto shoqëri tregtare.
Shoqëria “Albtek Energy” sh.p.k. ka deklaruar në librin e blerjes faturat tatimore të shitjeve nga këto shoqëri tregtare në total në vlerën 368.672.760 lekë (ose rreth 2.950.000 Euro). Shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k. ka deklaruar në librin e blerjes faturat tatimore të shitjeve nga këto shoqëri tregtare në total në vlerën 91.963.141 lekë (ose rreth 735.000 Euro).
Gjatë hetimeve paraprake për këtë proçedim penal janë mbledhur dhe janë siguruar provat e nevojshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shumat monetare 368.672.760 lekë dhe 91.963.141 lekë, që iu janë faturuar shoqërive “Albtek Energy” sh.p.k. dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. dhe që janë paguar më pas nga këto dy shoqëri tregtare, përbëjnë përfitime materiale të parregullta që i janë dhënë shtetasit L.K., në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k. në zhvillimin e proçedurës së dhënies së konçensionit dhe në lidhjen e kontratës së konçensionit me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”.
“Shtetasja S.G., në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k dhe shtetasi K.Z., në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k., kanë përdorur një skemë fiktive të kryerjes së pagesave, të realizuar nëpërmjet dy shoqërive tregtare respektive, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt”, si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit.
Shtetasi L.K., në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k. dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k., që janë përfitueset e kontratës së konçensionit, përfitimet e parregullta monetare, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë konçensionare, duke përdorur disa shoqëri tregtare të tjera të kontrolluara në mënyrë të tërthortë prej tij, të kontrolluara prej personave familjarë të tij, si dhe të kontrolluara prej subjekteve tregtare në zotërim të tij. Marrja e përfitimeve është realizuar nëpërmjet skemës fiktive të kryerjes së punimeve dhe të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt”, si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit”, shpjegon SPAK./abcnews.al