Nëse SHBA-ja tërhiqet, bota do të bëhet më e rrezikshme

schedule10:24 - 11 Dhjetor, 2021

schedule 10:24 - 11 Dhjetor, 2021

The Economist

Tetëdhjetë vjet më parë Japonia bombardoi bazën amerikane Pearl Harbour. Ai qe një gabim i rëndë, pasi e futi në luftë rendin më të fuqishëm në botë, dhe solli pak vite më vonë shkatërrimin e perandorisë japoneze. Një admiral japonez shumë i zgjuar thuhet se deklaroi pas sulmit:“Kam frikë se gjithçka që kemi arritur, është zgjimi i një gjiganti të fjeturdhe që tani ka një vendosmëri të madhe”.

Sot Japonia është paqësore, e pasur dhe novatore. Janë japonezët ata që e rindërtuan vendin e tyre, por punën ua lehtësoi superfuqia që i mundi në luftë. Amerika nuk ishte vetë“nëna” e një demokracie liberale kapitaliste në Japoni. Ajo krijoi gjithashtu një rend botëror, në të cilin Japonia ishte e lirë të tregtonte dhe të rritej.

Ky rend nuk ishte i përsosur, dhe nuk zbatohej kudo. Por ishte më i mirë se çdo gjë që kishte ndodhur më parë. Në dallim nga fuqitë e mëparshme të mëdha, Amerika nuk e përdori dominimin e saj ushtarak për të fituar avantazhe tregtare në kurriz të aleatëve të saj më të vegjël.

Përkundrazi, ajo respektoi në shumicën e rasteve të njëjtat rregulla të përbashkëta. Dhe ai sistem i bazuar tek rregullat, krijoi mundësinë që pjesa më e madhe e botës ta shmangte luftën dhe të bëhej e begatë. Por fatkeqësisht, sot Amerika duket se është e lodhur nga roli i saj si garantuese e rendit liberal.

Gjigantin nuk e ka zënë sërish gjumi, por vendosmëria e tij po lëkundet, dhe armiqtë po e vënë në provë. Vladimir Putin po grumbullon trupa në kufirin me Ukrainën, dhe së shpejti mund ta pushtojë këtë të fundit. Kina po shkel rregullisht hapësirën ajrore të Tajvanit me avionët e saj luftarakë, duke përdorur modele të ngjashme me aeroplanmbajtëset amerikanë për arritjen e objektivave, si dhe duke testuar armët hipersonike.

Irani ka mbajtur një qëndrim kaq shumë maksimalist në bisedimet mbi programin e tij bërthamor, saqë shumë vëzhgues presin që negociatat të dështojnë. Kështu, dy fuqi autokratike kërcënojnë që të uzurpojnë një terren që është aktualisht nën kontrollin e demokracisë, dhe një fuqi e tretë kërcënon të shkelë Traktatin e Mospërhapjes, duke ndërtuar bombat bërthamore.

Sa larg do të shkonte Amerika për të parandaluar akte të tilla të rrezikshme? Joe Biden mund të duket ndonjëherë si një udhëheqës i fortë. Më 7 dhjetor ai e paralajmëroi Vladimir Putinin për pasoja të rënda, në rast se Rusia do të ndërmarrë një sulm tjetër ndaj Ukrainës.

Ai i ka ruajtur sanksionet e SHBA-së ndaj Iranit. Dhe në tetor,deklaroi se Amerika ka një “angazhim” për ta mbrojtur Tajvanin, ndonëse ndihmësit e tij këmbëngulën se nuk ka ndryshuar qasja e SHBA-së ndaj kësaj çështje. (Amerika ka refuzuar prej kohësh të thotë nëse do të dërgonte trupa për të zmbrapsur një pushtim kinez, që të mos inkurajojë ndonjë veprim nga Tajvani që mund të provokonte një akt të tillë).

Nga ky qëndrim Kina mbeti e paqartë nëse zoti Biden foli gabim apo po aludonte me dinakëri për një qëndrim më të fortë. Më 7 dhjetor Kongresi Amerikan miratoi një rritje të madhe në buxhetin e mbrojtjes. Po ashtu këtë javë Biden po drejton një “Samit për Demokracinë”, për t’i inkurajuar vendet që respektojnë rregullat të bëhen së bashku.

E megjithatë, Amerika është bërë shumë ngurruese për ta përdorur fuqinë e ashpër në pjesën më të madhe të botës. Një koalicion “skifterësh” dhe “pëllumbash” në Uashington po bën thirrje për “vetëpërmbajtje”.

“Pëllumbat” thonë se në përpjekje për të kontrolluar botën, Amerika në mënyrë të pashmangshme zhytet në konflikte të panevojshme jashtë vendit, të cilat nuk mund t’i fitojë. Ndërkohë “skifterët” thonë se Amerika nuk duhet të shpërqendrohet nga e vetmja detyrë që ka rëndësi:kundërvënia ndaj Kinës.

Secili nga këto dy vizione do të sillte një tërheqje të pjesshme, destabilizuese amerikane, duke e lënë botën më të rrezikuar dhe të pasigurt. Tërheqja kaotike e Biden nga Afganistani, bëri që disa të dyshojnë në gatishmërinë e Amerikës për të mbrojtur miqtë e saj apo për të penguar armiqtë e saj, dhe shumë njerëz mund të shqetësohen për kompetencën e planifikimit të saj.

Deklaratat e shkujdesura të presidentit mbi “ombrellën bërthamore” të Amerikës e kanë dëmtuar besimin e aleatëve se SHBA i mbron ende ata. Dhe megjithëse zoti Biden nuk i fyen aleatët siç bënte Donald Trump, ai dështon shumë shpesh që të konsultohet me ta, duke dëmtuar lidhjet e besimit që prej kohësh e kanë shumëfishuar fuqinë e Amerikës.

Po aq e rëndësishme sa instinktet e çdo presidenti amerikan, është gjendja shpirtërore e vendit që i zgjedh ata. Amerika nuk është më hegjemonia e sigurt e viteve 1990. Fuqia e saj relative është zbehur, edhe nëse ajo mbetet ende e pakrahasueshme me të tjerat. Pas Irakut dhe Afganistanit, votuesit janë shumë të lodhur nga aventurat e huaja.

Politika e polarizuar dypartiake, po paralizon shumicën e aspekteve të politikës. Mbi 90 poste ambasadorësh mbeten ende vakante, të bllokuara nga Kongresi. Ndërkohë, Amerika ka refuzuar që t’i bashkohet një pakti tregtar që do të kishte plotësuar lidhjet e saj ushtarake në Azi me ato ekonomike.

Do të ishte gabim të supozohej se do të rikthehet Amerika e dikurshme shumë e angazhuar në çështjet ndërkombëtare. Tek e fundit, Donald Trump mund të rizgjidhet president në vitin 2024. Nëse do të ruhet rendi liberal, fuqitë e tjera do të duhet të bëjnë çmos, si për t’u përgatitur për një botë në të cilën kanë më pak ndihmë, po ashtu edhe për ta mbajtur Amerikën të angazhuar në botë.

Dhe për këtë ka që tani disa shenja. Japonia dhe Australia kanë sinjalizuar se do të ndihmojnë në mbrojtjen e Tajvanit. Britania i është bashkuar Amerikës në ndarjen e teknologjisë së nëndetëseve bërthamore që do t’i shiten Australisë. Një qeveri e re në Gjermani, po lë të kuptohet se do të ketë një linjë më të ashpër kundër Rusisë.

Në një botë ku fuqia e Amerikës do të jetë më pak protagoniste,do të duhet më shumë përshtatje. Demokracitë, sidomos ato në Evropë, duhet të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen.

Ato si Tajvani dhe Ukraina, që janë të rrezikuara të sulmohen, duhet ta bëjnë veten të pa gllabërueshme, për shembull duke e rritur kapacitetin e tyre për luftë asimetrike.

Sa më shumë të mirë përgatitura që të jenë, aq më pak ka gjasa që t’i sulmojnë armiqtë e tyre.

Tifozët e një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla, duhet të ndajnë më shumë të dhëna inteligjente me njëri-tjetrin. Ata duhet të lënë mënjanë grindjet e vjetra, si për shembull sherrete kota midis Japonisë dhe Koresë së Jugut mbi të shkuarën konfliktuale.

Ata duhet të krijojnë aleanca më të thella dhe më të gjera, formalisht ose jo-formalisht.

Duke lënë mënjanë interesa e saj vetjake, India duhet të heqë dorë nga gjurmët e mos-angazhimit dhe të afrohet më shumë me QUAD-in,Australinë, Japoninë dhe Amerikën.

NATO nuk mund ta pranojë Ukrainën në aleancë, pasi rregullat thonë se një sulm ndaj njërit, është një sulm ndaj të gjithëve, dhe Rusia e ka pushtuar tashmë territorin ukrainas.

Por anëtarët e NATO-s mund t’i ofrojnë Ukrainës më shumë armë, para dhe trajnime për ta ndihmuar atë të mbrohet.

Nëse shpërbëhet rendi liberal, aleatët e Amerikës do të vuajnë shumë. Pasi të jetë zhdukur, vetë amerikanët mund të habiten kur të zbulojnë se sa shumë përfituan dikur prej tij. Megjithatë ende nuk ka humbur asgjë.

Një përpjekje e vendosur dhe e bashkuar nga ana e demokracive, mund të ruajë të paktën një pjesë të sistemit të bazuar tek rregullat, dhe të parandalojë rrëshqitjen e botës drejt një situate kaotike, ku do dominonte ligji i xhunglës. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!