Partia Demokratike dhe institucioni i prokurorisë janë bërë protagonistë të një debati në largësi, i cili nisi me akuzën e ish ministrit Alibeaj ndaj shefes së Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Kjo e fundit është pjesë e dosjes 339 sipas demokratëve. Por prokurorët e çështjes e kanë quajtur jo të vërtetë akuzën, duke shkelur sekretin hetimor e duke gënjyer sipas Partisë Demokratike.
Miliona të pajustifikuara, dyshime për pastrim parash dhe në rastin më të mirë, evazion fiskal. Janë këto sipas demokratëve pjesë e dosjes së titullares së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela e gjendur në tryezën e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit duke vërtetuar se ky i fundit është, si e quan ish-ministri i drejtësisë Alibeaj, vegël në duart e pushtetit për të kontrolluar hyrje-daljet nga sistemi të prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar.
“Përpara se të japë vendimin për Donika Prelën, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka për detyrë të verifikojë dy informacione të reja për Drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Së pari, të konfirmojë që Donika Prela, në konflikt të hapur interesi, është takuar gjatë periudhës që ishte nën veting me anëtaren e trupës së vetingut, Valbona Sanxhaktari”.
Për këtë, deputeti demokrat i sugjeron shkallës së parë të Vettingut, të kërkojë tek kamerat e sigurisë së Prokurorisë së Krimeve të Rënda në muajt Nëntor – Dhjetor. Së dyti, një pyetje edhe më e vështirë.
“A është Donika Prela pjesë e dosjes 339, e kapur në përgjim me bandën e Avdyljave duke biseduar me kreun e bandës Astrit Avdylaj? Përgjimet e dosjes 339 janë bërë në kohën kur Donika Prela drejtonte Prokurorinë e Durrësit dhe Astrit Avdylaj u arrestua për armëmbajtje pa leje, por më pas u lirua si i pafajshëm”.
Përgjigja për pyetjen e dytë, i erdhi shpejt selisë blu nga prokurorët e çështjes “339”, Vladimir Mara dhe Dritan Prençi. Duke e konsideruar pyetjen e shtruar nga Alibeaj, si fakt të servirur, prokurorët mohojnë e përfshirjen në përgjimet e dosjes 339 të Donika Prelës në komunikim me anëtarë të grupit Avdylaj.
Akt të paprecedent e quan Partia Demokratike këtë përgjigje të dy prokurorëve, të cilët sipas selisë blu nxorrën sekretin hetimor në shkelje flagrante të Ligjit, për të gënjyer në favor të shefes së tyre Prela. Faktet, sipas reagimit të PD-së, ndodhen pikërisht në dosjen 339.
“Këtë e provojnë përgjimet e muajit janar 2018.Duke qenë se tani Donika Prela e ka cënuar sekretin hetimor, le t’i shkojë deri në fund! Të urdhërojë të bëhen publike përgjimet audio të bandës së Avdylajve në muajin janar 2018, kur në makinën e kreut të bandës u gjet një armë pa leje, 9 mm, dhe Astrit Avdylaj u arestua në flagrancë.”
Reagimi i Partisë Demokratike vijon duke i kërkuar organeve të Vettingut që ta detyrojnë Donika Prelën të përgjigjet, nëse ka urdhëruar e firmosur lirimin e kreut të bandës së Avdylajve dhe nxjerrjen e tij të pafajshëm në janar të 2018-ës, kohë kur Donika Prela drejtonte Prokurorinë e Durrësit./abcnews.al