Ushtria izraelite po përgatitet për mundësinë e rifillimit të ofensivës së saj ushtarake kundër Libanit nëse luftimet me Iranin rinisin, raportoi të premten gazeta izraelite “Yedioth Ahronoth”. Gazeta shkroi se ushtria po përgatitet për një raund tjetër luftimesh në frontin libanez në rast të rifillimit të armiqësive me Teheranin.
Ajo shtoi se forcat izraelite po vazhdojnë operacionet përgjatë kufirit me Libanin, po përgatisin pozicionet ushtarake dhe po përditësojnë planet operacionale në prag të dimrit.
Sipas raportimit, strukturat izraelite të sigurisë po presin një vendim të SHBA-së lidhur me rifillimin e mundshëm të operacioneve ushtarake kundër Iranit, ndërsa situata mund të ndryshojë me shpejtësi në varësi të zhvillimeve në Washington.
Sipas gazetës, ushtria izraelite nuk ka vërejtur shenja të pazakonta të shtimit të përgatitjeve ushtarake amerikane në rajon, përveç përforcimit të forcave amerikane në jug të Izraelit dhe lëvizjeve detare në Detin Arabik.
Në lajm thuhet gjithashtu se dallimet lidhur me objektivat e mundshëm të një operacioni të ri ushtarak kundër Iranit. Ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dëshiron përmbysjen e qeverisë iraniane, disa zyrtarë në Washington favorizojnë një operacion të shpejtë dhe intensiv ushtarak, që synon dobësimin e Teheranit dhe detyrimin e tij për të negociuar nga një pozitë e pafavorshme, shkroi gazeta.
Ajo sugjeroi se një marrëveshje e tillë mund t’i jepte një shtysë politike presidentit amerikan Donald Trump, pas humbjeve të mëdha të partisë së tij përballë kandidatëve demokratë në zgjedhjet e mesmandatit për Kongresin të martën.
Raportohen mospajtime edhe në palën izraelite
Gazeta raportoi gjithashtu se mospajtimet lidhur me Iranin ishin shfaqur edhe para zgjedhjeve parlamentare të Izraelit muajin e kaluar, kur shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, Eyal Zamir, ishte përplasur me Netanyahun dhe ministrin e Mbrojtjes, Israel Katz, për shkak të këmbënguljes së tyre për ndërmarrjen e një aksioni ushtarak kundër Teheranit.
Sipas raportimit, disa zyrtarë izraelitë besojnë se Netanyahu po përpiqet të provokojë një tjetër luftë me Iranin për të qëndruar në pushtet, pasi blloku i tij nuk arriti të sigurojë shumicën parlamentare në zgjedhjet e 27 tetorit për Knessetin, duke fituar 53 nga 120 vendet, krahasuar me 48 të bllokut opozitar.
Raportimet e mëparshme të mediave izraelite kishin sugjeruar se Washingtoni po përgatitej për një tjetër operacion ushtarak kundër Iranit pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, në një kohë kur vazhdonin mospajtimet lidhur me kushtet për rifillimin e negociatave.
Washingtoni këmbëngul që Teherani të bëjë lëshime lidhur me programin e tij bërthamor para rifillimit të negociatave, ndërsa Irani kërkon heqjen e sanksioneve amerikane, lirimin e aseteve të ngrira dhe lejimin e eksportit të naftës.
SHBA-ja dhe Izraeli nisën një ofensivë ushtarake kundër Iranit më 28 shkurt 2026, përpara se në prill të arrihej një armëpushim. Luftimet mes Washingtonit dhe Teheranit rifilluan në korrik, ndërsa përpjekjet diplomatike për arritjen e një zgjidhjeje mbetën të bllokuara.
Më 26 qershor, Libani dhe Izraeli nënshkruan një marrëveshje kornizë, të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, e cila parashikon tërheqjen graduale të Izraelit nga territoret e pushtuara libaneze, në këmbim të dislokimit të ushtrisë libaneze dhe marrjes së përgjegjësive të sigurisë prej saj.
Raportimi i fundit ngre mundësinë e rifillimit të luftimeve në frontin libanez nëse përshkallëzohet sërish përballja e Izraelit dhe SHBA-së me Iranin.


