Papa Leoni XIV ka folur për herë të parë për gjendjen e tij shëndetësore pas operacionit për heqjen e një tumori në mushkëri, duke siguruar se ndihet mirë dhe se është i gatshëm të vijojë aktivitetet e tij.
Gjatë udhëtimit drejt Uruguait, ndalesa e parë e një turi 12-ditor në Amerikën Latine, Papa u shpreh se është “në gjendje mjaft të mirë shëndetësore” dhe se ndihet shumë i lumtur që mundi ta realizonte këtë vizitë.
Udhëtimi i tij ishte vënë në dyshim muajin e kaluar, pasi mjekët zbuluan një tumor gjatë një kontrolli rutinë. Megjithatë, ndërhyrja kirurgjikale për heqjen e tij rezultoi e suksesshme dhe, sipas mjekëve, sëmundja nuk është përhapur në pjesë të tjera të trupit.
“Që nga dita e parë nuk kam pasur asnjë dyshim. Isha i bindur se ky udhëtim duhej të realizohej”, u tha Papa gazetarëve që e shoqërojnë gjatë vizitës.
Ai falënderoi stafin mjekësor për kujdesin e treguar, duke theksuar se falë tyre ndihet në gjendje të mirë për të vijuar angazhimet.
Papa 71-vjeçar mbërriti të premten në Montevideo të Uruguait, ku u prit nga një numër i madh qytetarësh që kishin dalë në rrugë për ta përshëndetur.
Gjatë fjalimit të tij të parë në këtë vizitë, ai u ndal edhe te rëndësia e shërbimeve shëndetësore, duke kërkuar që kujdesi mjekësor të jetë i mundur për të gjithë, pa dallim.
Papa tha se përvoja e tij me trajtimin mjekësor e kishte bërë të mendonte për njerëzit që nuk kanë mundësi të kryejnë kontrolle në kohë apo të marrin trajtimin e nevojshëm.
Pas Uruguait, kreu i Kishës Katolike do të udhëtojë drejt Argjentinës dhe më pas Perusë, ku rikthimi i tij pritet me interes të veçantë. Papa ka jetuar për shumë vite në Peru, fillimisht si misionar dhe më pas si ipeshkëv, ndaj Vatikani e ka cilësuar këtë vizitë si një “kthim në shtëpi”.
Ky është turi i gjashtë ndërkombëtar i Papa Leo XIV, gjatë të cilit pritet të përshkojë më shumë se 20 mijë milje. Në Argjentinë, ai do të vizitojë vendlindjen e paraardhësit të tij, Papa Françeskut, i cili nuk arriti ta vizitonte vendin gjatë kohës që ishte në krye të Vatikanit.
Papa tha se përmes këtij udhëtimi dëshiron të jetë pranë njerëzve dhe t’u përcjellë atyre një mesazh shprese.


