Presidenti amerikan Donald Trump ka shkarkuar nga detyra shefen e kabinetit në Shtëpinë e Bardhë, Susie Wiles. Në vend të saj, Trump ka emëruar Stephen Miller, aktualisht zëvendësshef i kabinetit dhe një prej këshilltarëve më të besuar të presidentit amerikan, i cili do të marrë zyrtarisht detyrën më 9 nëntor.
Shkarkimi vjen pas humbjes katastrofike në zgjedhjet e mesmandatit të martën, ndërsa presidenti Trump po bën bilancin e përgjegjësve të këtij rezultati. Por shkarkimi i Wiles vjen edhe pas skandalit që përfshiu vajzën e saj, Katie Wiles, dhe lidhjet e kësaj të fundit me kompaninë e lobimit Continental Strategy në Uashington, e angazhuar për interesat e Republika Srpska, entitetit serb të Bosnjë-Hercegovinës.
Një fotografi e publikuar gjatë investigimit të medias amerikane CBS News tregonte Katie Wiles gjatë një vizite në Republika Srpska, në gusht të këtij viti. Në fotografi, Katie shfaqet me një pushkë në duar, pranë Željko Budimir, ministrit të Brendshëm të këtij entiteti.
Fotografia ngriti pikëpyetje mbi lidhjet e rrethit më të ngushtë të Donald Trump me strukturat politike të Milorad Dodikut, politikanit serb pro-rus, i cili ruan marrëdhënie të ngushta me presidentin Vladimir Putin.
Por aktiviteti i kompanisë nuk kufizohet vetëm te përfaqësimi i interesave të Dodikut në Uashington. Pikërisht në këtë pikë shfaqet edhe një tjetër lidhje me administratën Trump.
Vetëm pak kohë pas vizitës së Katie Wiles në Republika Srpska, Susie Wiles u takua me Željka Cvijanović, një aleate e afërt e Milorad Dodikut. Sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, takimi ishte organizuar nga Alejandro Garcia dhe jo nga Katie Wiles.
Ky zhvillim shtoi pikëpyetjet mbi ndërthurjen e aktivitetit të lobimit të Continental Strategy me marrëdhëniet politike mes përfaqësuesve të Republika Srpska dhe administratës amerikane.
Në të njëjtin rrjet lobimi shfaqet edhe Chris LaCivita. I njëjti konsulent që është angazhuar në fushatën politike të kampit të Milorad Dodikut është zgjedhur nga Sali Berisha si këshilltar për fushatën e Partisë Demokratike në vitin 2025, një angazhim që nuk solli fitoren e pritshme elektorale.
Dhe pikërisht ky paralelizëm ngre pikëpyetje politike në Tiranë. LaCivita është përfshirë në fushatën e kampit të Milorad Dodikut, një politikani të shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa në Shqipëri është angazhuar nga një tjetër politikan që përballet me të njëjtën masë nga Uashingtoni, Sali Berisha.


