Papa Leoni XIV mbërriti të premten në Uruguai, duke nisur vizitën e tij të parë në Amerikën Latine si papë, raportoi gazeta uruguaiane “La Diaria”.
Avioni papnor u ul në Aeroportin Ndërkombëtar Carrasco në Montevideo në orën 16:30 sipas kohës lokale, pasi ishte nisur nga Roma më herët gjatë ditës, njoftoi Ministria e Jashtme e Uruguait.
Papa u prit nga autoritetet shtetërore, përpara se të udhëtonte drejt sheshit “Plaza Independencia”, ku mori pjesë në ceremoninë zyrtare të mirëseardhjes së bashku me presidentin Yamandu Orsi dhe zyrtarë të lartë.
Më pas, ai u takua me zyrtarë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe trupit diplomatik, përpara se të zhvillonte bisedime me Orsin në ndërtesën “Jose Artigas”.
Leoni vizitoi gjithashtu Katedralen Metropolitane të Ngjizjes së Papërlyer dhe Shën Filipit e Shën Jakobit, ku ishte planifikuar të kremtonte Mbrëmësoren së bashku me anëtarë të klerit katolik dhe komunitetit fetar.
Vizita treditore në Uruguai, e planifikuar të zgjasë deri të dielën, është ndalesa e parë e një udhëtimi apostolik 12-ditor, gjatë të cilit Leoni do të vizitojë gjithashtu Argjentinën dhe Perunë. Ky është udhëtimi i tij i gjashtë ndërkombëtar që nga marrja e detyrës së papës dhe zhvillohet vetëm disa javë pas një ndërhyrjeje të suksesshme kirurgjikale në mushkëri muajin e kaluar.
Uruguai nuk ka pritur një vizitë papnore që nga viti 1988, kur Papa Gjon Pali II udhëtoi drejt vendit. Ai konsiderohet një nga shoqëritë më laike në Amerikën Latine, me një ndarje të kahershme mes kishës dhe shtetit.
Gjatë qëndrimit të tij, Leoni pritet të udhëtojë në Paysandu për të kremtuar meshën. Ai do të vizitojë gjithashtu lagjen Casavalle, në periferi të kryeqytetit Montevideo, dhe do të marrë pjesë në një vigjilje lutjesh në stadiumin Centenario.
Papa pritet të kremtojë meshën në qytetin Florida të dielën, përpara se të niset drejt Buenos Airesit të Argjentinës, ndalesa e dytë e turneut të tij në Amerikën e Jugut.
Më pas, ai do të udhëtojë drejt Perusë, ku do të vizitojë Limën, Chiclayon, Cuscon dhe Pucallpan, përpara se të kthehet në Romë më 17 nëntor.


