Në “Foltoren” e SHBA të mbledhur online pasditen e sotme, ish-kryeministri Sali Berisha i dërgoi një mesazh ambasadores së SHBA në Shqipëri Yuri Kim. Berisha tha se për të dy momente janë të papranueshme nga sjellja e ambasadores duke veçuar njohjen e zgjedhjeve dhe censura që kërkon sipas tij t’i vendosë “Foltores”.
“Dy fjalë për zonjën ambasadore që shpesh i lejon vetes të bëjë sekretaren ideologjike të PS. Dy momente për mua janë të papranueshme, përgëzimi që i bëri zgjedhjeve dhe së dyti thirrja që u bën gazetarëve për të vendosur censurë ndaj Foltores dhe Sali Berishës. Për mua përbën shkelje të Kushtetutës amerikane që garanton më mirë se të gjithë lirinë e shprehjes dhe fjalës”, tha Berisha.
Ai shtoi se kjo nuk bën që ai të humbasë respektin për SHBA të cilat i përkufizoi si vendi i madh i lirisë. “Megjithatë asgjë nuk humb respektin tonë për vendin e madh të lirisë. Jam i bindur që Partia Demokratike në pushtet do ndërtojë marrëdhënie të shkëlqyera me vendin ku ju jetoni”, shtoi Berisha në fjalën e tij. m.v/Abcnews.al