Rusia kreu një test ushtarak me një raketë të lëshuar në hapësirë për të goditur një prej satelitëve të saj: raketa shkatërroi satelitin por shkaktoi dhe një shi mbetjesh që detyroi anëtarët e ekuipazhit të Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor, që të kërkonin mbrojtje dhe të përgatiteshin për një evakuim të mundshëm, shkruan BBC
Duket si një episod i “Luftës së Yjeve” por çdo gjë ka ndodhur në hapësirë. Rusia nuk e konfirmoi testin por Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të zemëruara duke e cilësuar aktin të rrezikshëm dhe të papërgjegjshëm. Sipas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Rusia testoi një raketë anti satelit me një objektiv të drejtpërdrejtë, që goditi satelitin rus dhe krijoi një grumbullim masiv mbetjesh në orbitën tokësore – më shumë se 1500 pjesë.
Por departamenti amerikan i shtetit paralajmëroi se këto mund të shpërbëhen në qindra mijëra pjesë dhe më të vogla. Rusia kreu testin pavarësisht paralajmërimeve të shumta amerikane për faktin se teste të tilla janë një rrezik jo vetëm për satelitët por dhe për vetë astronautët, raporton abcnews.al
Satelitët janë mjetet që i japin personave në të gjithë botën shërbime shumë të çmuara, nga lidhjet telefonike e deri tek parashikimi i motit, por shërbejnë dhe për sistemet GPS dhe komunikimet me radio.
Administratori i NASA-s, Bill Nelson u shpreh i indinjuar duke shtuar se Rusia vë në rrezik jo vetëm astronautët amerikanë por dhe ata të partnerëve ndërkombëtarë – përfshirë dhe ata rusë. Aktualisht në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor ndodhen shtatë astronautë, 4 amerikanë, dy rusë dhe një gjerman. Mbetjet do të qëndrojnë në orbitë për vite të tëra duke rrezikuar aktivitetet e fluturimeve hapësinore të njeriut por dhe satelitët e shumë vendeve.
/abcnews.al