95-vjetori i Kryegjyshatës të Bektashinjve/Rama: Monument kulturor që duhet të mbrohet nga shteti, dritë udhëzuese që ka atdhedashuri

schedule12:24 - 25 Janar, 2025

schedule 12:24 - 25 Janar, 2025

Kryeministri Edi Rama ka marrë fjalën në Konferencën Jubilare të 95-vjetorit të vendosjes së Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Shqipëri. Ai e konsideroi bektashizmin jo një sekt fetar, por një monument kulturor që duhet të mbrohet nga shteti.

Sakaq, Rama ka theksuar se është një dritë udhëzuese që ka një mesazh largpamës, atë të atdhedashurisë.

“Fort i nderuar, kryegjyshi botëror i bektashinjve, të nderuar klerikë të pranishëm, për mua është një privilegj që të marr fjalën në këtë përvjetor jubilar të krijimit të qendrës botërore të bektashinjve në Shqipëri dhe të përcjell qoftë shprehjen e admirimit për rolin e bektashinjve shqiptarë në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare dhe përpjekjen shqiptare për pavarësi, qoftë edhe shprehjen e solidaritetit për vështirësitë gjithnjë e më të mëdha unikale në llojin e tyre, me të cilat përballen në ditët tona ata që sot e gjithë ditën mbajnë ndezur flakën e këtij besimi.

E mora këtu me vete sot këtë libër posaçërisht voluminoz të një studiuesi të mirënjohur, i huaj por i dashuruar me Shqipërinë dhe me shqiptarët, Robert Elsie i cili edhe varrin kërkoi ta kishte në Shqipëri dhe u sugjeroj t’i hedhin një sy të gjithë ata që do të duan të shprehen për idenë e dhënies së një statusi sovraniteti selisë së Kryegjyshatës botërore të bektashinjve, sepse këtu në këtë përmbledhje shumë të detajuar të kësaj historie shqiptare, do të gjejnë të gjitha arsyet e shëndetshme për pse-në e kësaj ideje dhe çdo shqiptar, pavarësisht në beson në Zot apo nuk beson në Zot, pavarësisht nëse është mysliman, i krishterë apo bektashi po e po. Nëse është sadopak patriot, do ta ketë të pamundur të mos mallëngjehet nga historia e jashtëzakonshme e përpjekjeve, dhembjeve, sakrificave për mëmëdheun që e bëjnë bektashizmin një pasuri të paçmueshme të trashëgimisë sonë historike dhe kulturore.

Bektashizmi është një monument i gjallë kulture që duhet të mbrohet medoemos nga shteti dhe nga populli shqiptar dhe këto mund t’i them pa gajlen më të vogël sepse në këtë rast shyqyr Zotit nuk jam bektashi dhe nuk mund të më akuzojë njeri që po bëj diçka në favor të një pale. Bektashinjtë nuk janë palë. Rruga e mundimshme e bektashinjve shqiptarë është një rrugë unikale, mistike, tolerance dhe uniteti e cila mishërohet në fjalët e poetit tonë kombëtar Naim Frashëri. “Nuk vetëm në mes tyre po edhe me gjithë njerëzinë, bektashinjtë janë vëllezër në shpirt, duan si shpirtin e tyre dhe të tjerët myslimanë e të krishterë dhe shkojnë mirë e bukur me të gjithë njerëzinë, po më shumë duan mëmëdhenë dhe mëmëdhetarët që kjo është më e mira nga të gjitha të mirat’’.

Dhe për Naimin bektashizmi është një vlerë e posaçme kombëtare se nuk sheh dallim midis myslimanit dhe të krishterit, sepse të gjithë janë një në sytë e Zotit. Bektashizmi është një traditë shpirtërore që e ka ndikuar thellë pëlhurën kulturore, fetare dhe shoqërore të Ballkanit, të Anadollit po e po, por edhe më gjerë, por mbi të gjitha ai ka ndikuar pa zëvendësueshmërisht në mbrojtjen e identitetit tonë kombëtar, në mësimin e gjuhës shqipe dhe në themelet e rezistencës për pavarësi kombëtare të shqiptarëve, natyrisht jo në mënyrë ekskluzive por krah për krah me komunitetin mysliman dhe krah për krah edhe me përfaqësues legjendarë të komunitetit ortodoks apo të atij katolik.

Me rrënjët në tokën shumë pjellore të misticizmit islam bektashizmi nuk është thjeshtë një komunitet, një sekt fetar por është një dritë udhëzuese që shkon përtej kufijve të besimit duke ofruar një mesazh të pa epur dashurie, dhembshurie dhe largpamësie dhe çka e bën unikal në llojin e vet është se brenda këtij mesazhi në mënyrë të pa ekuivok tek largpamësia  bektashizmi ka dhe atdhedashurinë.”, tha ndër të tjera ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!