15 vjet pavarësi/ ABC News në Mitrovicë: Festë e flamuj në pjesën jugore, heshtje në veri

schedule14:30 - 17 Shkurt, 2023

schedule 14:30 - 17 Shkurt, 2023

Abc News ka udhëtuar drejt Mitrovicës për të parë nga afër atmosferën e krijuar në këtë 15 vjetor të shpalljes së Pavarësisë. Gazetarja Linda Karadaku raportoi drejtpërdrejt pranë Urës së Ibrit, teksa solli edhe situatën që paraqitet aktualisht mes Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut.

Gazetarja theksoi se ndërsa në pjesën jugore ndihet atmosfera festive me flamuj dhe aktivitete në atë veriore mbizotëron heshtja. Ajo tha se ka biseduar me shumë familje shqiptare që jetojnë në pjesën veriore, të cilët kanë shkuar në pjesën jugore për të festuar këtë ditë të rëndësishme.

“Është një lloj qetësie që me sa na thonë banorët shqiptare shpesh kthehet në një qetësi te frikshme. Në pjesën veriore është festuar dje dita e shtetësisë së Serbisë. Një qytet i ndarë në dysh dhe ku në të dy pjesët festohet në mënyra të ndryshme“, tha mes të tjerash gazetarja.

Kujtojmë që në kuadër të 15 vjetorit të Pavarësisë janë mbajtur një sërë aktivitetesh. I pranishëm në Kosovë është edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj. Gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës, Begaj tha se dita e pavarësisë është një ditë krenarie për të gjithë shqiptarët./abcnews.al