Shqipëria ka shprehur solidaritetin e plotë me Spanjën dhe Francën, ku zjarret masive kanë detyruar evakuimin e qindra mijëra banorëve. Gjatë një takimi me trupat e Emergjencave Civile dhe zjarrfikësit, Kryeministri Edi Rama deklaroi se vendi ynë është i gatshëm të dërgojë ndihmë nëse do t’i kërkohet.
Ai theksoi se përballë kësaj sfide të përbashkët rreziku është i njëjtë për të gjithë, pasi zjarri nuk njeh kufij.
“Në Francë dhe në Spanjë mbi 320 mijë njerëz i kanë lënë shtëpitë e tyre deri mbrëmë dhe vetëm në orët e fundit, 55 mijë banorë janë evakuuar nga zona përreth Bordosë, ku flakët kanë hyrë deri në lagjet e periferisë.
Kur sheh qindra mijëra njerëz që ikin të lemerisur është njësoj sikur të shohësh njerëzit tanë, për shkak se rreziku dhe sfida është e njëjtë. Prandaj unë dua që edhe me lejen tuaj nga kjo sallë, t’u shpreh një solidaritet të gjithë kolegëve tuaj në Spanjë dhe në Francë.
Ne e kemi bërë edhe në shkuarën falë jush, dhe jemi gati ta bëjmë sërish dhe të përgjigjemi në rast se na kërkohet, siç u jemi përgjigjur kur fqinjët dhe miqtë tanë europianë janë në hall. Sikurse ata na janë përgjigjur kur ne kemi pasur nevojë, sepse zjarri nuk njeh kufi”, tha Rama.



