Ylli i Chelsea i druhet koronavirusit, nuk pranon të stërvitet

schedule14:56 - 21 Maj, 2020

schedule 14:56 - 21 Maj, 2020

Ishte paralajmëruar se mund të kishte probleme, ndonëse në Gjermani nuk pati të tilla, pavarësisht të disa rasteve me koronavirus.  Në Premier League u duk që në fillim ndryshe dhe ja ku doli “kryengritësi” i parë, N’Golo Kante i Chelsea.

Mesfushori francez refuzoi të dilte në stërvitje nga frika e virusit dhe trajneri Frenk Lampard deklaroi se e kuptonte dhe se i qëndronte në krah. Tekniku shpreson, gjithsesi, që lojtarët e tij të përgjigjen në apel, në mënyrë që Blutë e Londrës të përgatiten siç duhet për fillimin e pritshëm të kampionatit.

Kante është një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit, thuajse i domosdoshëm për pjesën e mbetur të sezonit. Natyrisht ky i francezit nuk është ndonjë veprim heroik, është thjesht reagimi i një njeriu që e do jetën dhe familjen dhe që ka çfarë të humbasë.

Në kohën kur u diskutua Ligji Bosman, që u dha liri shumë më të madhe futbollistëve, përfaqësues të sindikatave futbollistike u shprehën se lojtarët e sotëm janë “skllevër modernë”, ndërsa një drejtues i lartë apo opinionist u shpreh se “nëse Spartaku do të kishte marrë 100 000 sterlina në javë, nuk do të bënte fare kryengritje”.

Gjithsesi, sot është çështje ekzistenciale, çështje jete, dhe Kante më mirë humbet rrogën sesa jetën. Nuk dihet se çfarë do të ndodhë në skuadrat e tjera, edhe pse mund të ketë raste. Trajneri i Liverpool, Jurgen Klopp, la të nënkuptonte se nuk do të detyronte asnjë lojtar me forcë që të dilte në stërvitje.

Kryesuesit e Premier League janë kthyer në stërvitje dhe nuk kanë pasur probleme, por gjithsesi Klop është i qartë se secili futbollist do të jetë i lirë të veprojë si ta mendojë më mirë për sigurinë e tij dhe të familjes. /abcnews.al