Më kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme zgjat me 3 muaj hetimet për tre vëllezërit Aleksandër, Kristi dhe Fation Bushgjokaj si dhe për Petrit Çakri, të akuzuar për vrasjen e të riut Renis Dobra.
SPAK ka kërkuar kohë deri në muajin tetor që të bëjë disa hetime shtesë, me argumentin se është e domosdoshme kryerja e disa veprimeve hetimore në kuadër të akteve të ekspertimit të telefonave dhe disa mbivendosje të gjurmëve papilare.
Avokati Erjon Kullolli, përfaqësuesi ligjor i shtetasit Fation Bushgjokaj e kundërshtoi kërkesën e organit procedues duke argumentuar se Prokuroria e Posaçme e ka patur mundësinë objektive që të kryente veprimet proceduriale të pretenduara dhe ende nuk i ka kryer.
Ky i fundit shtoi gjithashtu se deri në këtë moment procedurial SPAK ende nuk ka argumentuar kryerjen e veprës penale të “Rrëmbimit” dhe që kjo vepër të jetë kryer në kuadër të bashkëpunimit të posaçëm, të grupit të strukturuar.
Avokati mbrojtës i Bushgjokaj shtoi se kërkesa e SPAK bie ndesh me vendimin e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, pasi prokuroria nuk ka arsyetuar dhe argumentuar shkaqet pse masa e sigurimit arrest në burg është masa më e përshtatshme.
Ndërsa përfaqësuesi ligjor i caktuar kryesisht nga gjykata i shtetasit Petrit Çarki, mbajti qëndrimin duke e lënë në vlerësim të gjykatës kërkesën.
Katër të pandehurit u përfshinë në një konflikt të rëndë fizik pak javë më parë brenda kafazit të qelqtë në sallën e gjykimit numër 2, në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion.
Petrit Çakraj implikoi tre vëllezërit Fation, Aleksandër dhe Kristi Bushgjokaj në vrasjen e 23 vjeccarit, duke shkaktuar tensione mes të tyre.
Kristi Bushgjokaj sulmoi Petrit Cakrajn, teksa në këtë konflikt u përfshinë edhe dy vëllezërit e tjerë Fation e Aleksandër Bushgjokaj, të cilët goditën me grushte dhe shkelma të pandehurin duke i shkaktuar dëmtime.
Tre vëllezërit, Fation, Aleksandër, Kristi Bushgjokaj dhe Petrit Cakraj akuzohen për rrëmbimin dhe vrasjen me litar të Renis Dobrës, më 8 korrik 2025. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë organizuar rrëmbimin dhe vrasjen e 23-vjeçarit Dobra, të cilin pasi e vranë me litar e hodhën bashkë me makinën e tij buzë liqenit të Shkopetit.
Konflikti me 3 vëllezërit dhe Petrit Cakraj dyshohet se ka ardhur pasi Dobra ka tentuar t’i mashtrojë disa herë për sasitë e lëndëve narkotike.



