Vrasja e biznesmenit në Vlorë/ Shehaj: Identifikohen autorët

schedule11:56 - 6 Qershor, 2018

schedule 11:56 - 6 Qershor, 2018

Në një konferencë për shtyp drejtori i policisë së Vlores  ka njoftuar se janë identifikuar dhe shpallur në kërkim autorët e vrasjes së Vasil Dervishajt në Vlorë. Për këtë ngjarje janë vënë në pranga edhe dy  persona që kanë bashkëpunuar me autorët. 

Dy ditë pas vrasjes së biznesmenit Vasil Dervishaj në Vlore policia njoftoi se ka identifikuar autorët dhe ka arrestuar dy bashkëpunëtorët.

Atentatorët janë një 31 vjeçar  dhe një 28 vjeçar me banim në Vlorë. Kurse Nekid Arapi dhe Amarildo Grembi që kanë përkrahur vrasësit janë ndaluar.

“Janë shpallur në kërkim dy autorët, të cilët dyshohen se kanë kryer vrasjen e 29-vjeçarit:  E.A., 31 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Vlorë; A.C., 28 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Vlorë.

Në vijim të veprimeve hetimore është kryer arrestimin në flagrancë të shtetasve:

Nekid Arapi, 21 vjeç, banues në Vlorë, Amarildo Grembi (Muka), 28 vjeç, banues në Vlorë, të cilët kanë përkrahur autorët e krimit pas ngjarjes”.

Policia dyshon që ngjarja të ketë ndodhur pas një konflikti për bizneset e Dervishaj, por nuk përjashtohet mundësia  që 29 vjeçari  të jetë vrarë për prishje të pazareve të drogës.

“Policia e Vlorës në bashkëpunim me Prokurorinë po vijojnë punën për kapjen dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore”.

Krimi ndodhi të hënën në lagjen “Pavarësia” të qytetit bregdetar. Vasil Dervishaj po shkonte në shtëpinë e tij kur është qelluar për vdekje me breshëri kallashnikovi. Kurse autorët e shpallur në kërkim u larguan me një mjet tip Benz i cili është sekuestruar nga policia . /abcnews.al

Gazetar: Elton Nika