Vonesat e vaksinave, BE i kërkon llogari Astrazeneca

schedule13:54 - 26 Janar, 2021

schedule 13:54 - 26 Janar, 2021

Përshkallëzohen tensionet mes kolosit farmaceutik Astrazeneca dhe Bashkimit Europian. Vaksina është aktualisht në fazat e fundit të procesit të miratimit me agjencinë europiane për mjekimet. Nëse kushtet do të plotësohen, mund të rekomandohet autorizimi dhe hedhja në treg e kësaj vaksine anti Covid që në fund të kësaj jave.

Por problemi aktualisht qëndron nga ana e ofertës. Të premten e kaluar, AstraZeneca informoi komisionin se ka ndërmend të furnizojë në javët e ardhshme shumë më pak doza se sa ishte rënë dakord e paralajmëruar. Një element që i ka ngjallur jo pak dyshime Brukselit.

Komisionerja europiane për shëndetësinë u shpreh se përgjigjet e kompanisë nuk kishin qenë të kënaqshme, bashkimi europian kërkon që dozat e porositura dhe paguara të dorëzohen sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që kontrata të respektohet plotësisht. Ndër të tjera komisioni europian i ka propozuar 27 vendeve anëtare të komitetit drejtues që mekanizmi i transparencës të vihet sa më shpejt në punë

Bashkimi europian ka financuar paraprakisht zhvillimin e vaksinës dhe prodhimin, dhe kërkon të shohë rezultatet. Komisioni pretendon të dijë saktësisht se cilat doza janë prodhuar dhe ku, dhe ku janë dërguar ato.

Kryebashkiaku i Strasburgut u shpreh se një qendër vaksinimi ka pezulluar cdo gjë për shkak se mungojnë dozat dhe kërkesa është e madhe. Ndërkohë kompania farmaceutike amerikane Moderna pohoi se vaksina e saj anti Covid duket se funksionon kundër variantit britanik. Gjithsesi është më pak efikase kundër variantit që është shfaqur në Afrikën e Jugut. Shoqëria pretendon se po zhvillon një dozë të re të dytë dhe për të luftuar variantin e ri, dhe se ajo do të jetë gati që në vjeshtë./abcnews.al