Një çezmë e periudhës së hershme osmane është zbuluar në fshatin Rromës të Selenicës.
Zbulimi arkeologjik doli në dritë ndërsa po punohej për ndërtimin e një depo uji për zonën.
Rrënojat e çezmës së vjetër bën të ndaleshin punimet. Banorët e zonës njoftuan specialistët e drejtorisë rajonale të trashëgimisë kulturore në Vlorë të cilët nisën verifikimin në terren dhe dokumentuan zbulimin me vlerë për trashëgiminë kulturore.
Sipas specialistëve, çezma ruan elementë të rëndësishëm ndërtimorë, si tubacion qeramike për furnizimin me ujë, kanale shkarkuese dhe mure të ndërtuara me gurë, tjegulla dhe llaç gëlqereje.
Nga analiza paraprake e tipareve arkitekturore dhe materialit qeramik të gjetur, monumenti mendohet të datojë në shekujt XV–XVI, në fillimet e periudhës osmane.
Specialistët vlerësojnë se ky zbulim përbën një dëshmi të rëndësishme për historinë dhe zhvillimin e fshatit Rromës ndërsa thonë se bashkëpunimi i banorëve me institucionet e trashëgimisë kulturore bëri të mundur dokumentimin dhe ruajtjen e kësaj rrënoje me vlera historike.

