Vizita e Kim dhe Soreca, GjK: Falenderojmë ambasadorët për besimin e mbështetjen

schedule18:25 - 21 Janar, 2021

schedule 18:25 - 21 Janar, 2021

Sot, trupa e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, e kryesuar nga zonja Vitore Tusha, Kryetare, zhvilloi një takim zyrtar në ambientet e kësaj Gjykate me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim, si dhe Ambasadorin e Bashkimit Evropian Luigi Soreca.

Pasi shprehu kënaqësinë e saj të veçantë për faktin se tashmë kjo vizitë po bëhet në një Gjykatë Kushtetuese funksionale, Tusha i falënderoi ambasadorët për mbështetjen dhe kontributin e tyre si dhe për besimin e treguar në çdo etapë, “duke ndihmuar e lehtësuar edhe bashkëveprimin institucional në këtë proces.”

Po ashtu, Kryetarja dhe gjyqtarët evidentuan edhe sfidat me të cilat përballet kjo gjykatë, duke theksuar vullnetin për ta përmbushur misionin që i është caktuar nga Kushtetuta me integritet e qëndrueshmëri.

Gjatë takimit ambasadorët shprehën kënaqësinë dhe njëkohësisht pohuan rëndësinë e funksionalitetit të Gjykatës Kushtetuese, duke nënvizuar mbështetjen e tyre shumëplanëshe dhe bindjen se “kryerja e veprimtarisë vendimmarrëse në respektim të Kushtetutës dhe ligjit do të rikthejë besimin e publikut te Gjykata Kushtetuese dhe do të shënojë një hap përpara drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. /abcnews.al/