VIDEO/ Ramadani nderon “puljezët”, eurogoli i “legjionarit” i jep 3 pikë Lecce-s ndaj skuadrës së Frosinone

schedule17:36 - 16 Dhjetor, 2023

schedule 17:36 - 16 Dhjetor, 2023

Ylber Ramadani gjen golin e parë në Serinë A, me “legjionarin” e Kombëtares sonë, që arriti të shënojë një gol spektakolar në minutën e 89’ të ndeshjes mes Lecce dhe Frosinone, duke u dhënë triumfin 2-1 puljezëve.

Mesfushori “kuqezi”, që u transferua vetëm këtë verë te Lecce, u shndërrua menjëherë në titullar të padiskutueshëm, por iu desh të presë 16 ndeshje për të shijuar golin e tij të parë në elitën e futbollit italian.

Sulmuesi Roberto Piccoli shënoi golin e parë për Leccen, në minutën e 11, por Kaio Jorge riktheu baraspeshën në të 33-tën, mirëpo kur dukej se gjithçka po shkonte drejt barazimit, Lecce u hodh e gjitha në sulm dhe në minutën e 89’ ishte Ramadani që provoi nga një distancë prej afërsisht 30 metrash, duke dërguar topin në rrjetë.

Festë legjitime për mesfushorin shqiptar, që ndërpreu kështu serinë prej 4 barazimesh radhazi për Leccen dhe i dha skuadrës fitoren e munguar që prej 22 shtatorit në kampionat. Falë kësaj fitoreje Lecce ngjitet në vendin e 12-të, me 20 pikë, 1 më shumë se Frosinone e një vendi më poshtë. /i.m /abcnews.al

SHIKONI GOLAT: