Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë mbahet seanca ku po paraqiten deklaratat përfundimtare në çështjen penale ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit.
Avokatja Mbrojtëse e Hashim Thaçit, Sophie Menegon gjatë deklaratave përfundimtare ka argumentuar se nuk ka ekzistuar ndonjë grup që ka tentuar të pengojë drejtësinë.
Sipas saj, provat e paraqitura nga Prokuroria për të mbështetur akuzat janë të pabazuara.
Mbrojtja ka theksuar gjithashtu se veprimet për të cilat akuzohet Thaçi nuk kanë pasur ndikim në procesin gjyqësor, duke nënvizuar se ish-presidenti akuzohet për tentativë ndërhyrjeje dhe jo për kryerjen e veprës penale.

