Ukraina ndalon hyrjen në vend të burrave rusë në moshat 16-60 vjeç

schedule18:07 - 30 Nëntor, 2018

schedule 18:07 - 30 Nëntor, 2018

Në vijim të situatës së tensionuar deri në kufijtë e pragluftës, Ukraina ndalon hyrjen në vend të çdo burri rus të moshës 16 deri në 60 vjeç. Vendimi është njoftuar nga presidenti Poroshenko.

Vendimi i ri i Kievit rrezikon të përshkallëzojë më tej krizën me Moskën që filloi pas sekuestrimit të 3 anijeve në ngushticën e Kërçit. Ukraina ka ndaluar të gjithë meshkujt rusë mes 16 dhe 60 vjeç që të hyjnë në vend. Kjo u njoftua në Twitter nga Presidenti Petro Poroshenko. Kufizimet, thekson ai, janë vendosur të parandalojnë rusët që të formojnë “ushtri private” që i përgjigjen forcave të armatosura ruse. Në mëngjes, Poroshenko u takua me krerët e ushtrisë ukrainase për të kërkuar masa ndëshkuese ndaj rusëve që mbërrijnë në Ukrainë. Presidenti saktësoi se përjashtimet e vetme do të jenë “për arsye humanitare të përcaktuara qartë” si për shembull pjesëmarrja në funerale. Të mërkurën, ligji ushtarak u aktivizua në një sërë rajonesh të Ukrainës Lindore dhe Bregut të Detit të Zi dhe Detit Azov, në qendër të përshkallëzimit të tensioneve me Moskën.

Ndërkohë, të martën presidenti Poroshenko paralajmëroi se ekztiston kërcënim real për “një luftë të mundshme me Rusinë”. Duke reaguar ndaj masave të fundit të Ukrainës, zëdhënsja e ministrisë së jashtëme ruse, Maria Zakharova thotë se Moska nuk planifikon të kundërpërgjigjet me të njëjtën monedhë pasi “kjo do të çonte në çmenduri të plotë”. “Ukraina mund të përfundojë në luftë civile”, tha ajo duke shprehur shqetësim për vendosjen e ligjit ushtarak. “Forcave të rendit të Ukrainës u është dhënë pushtet i jashtëzakonshëm, përfshirë përdorimin e forcës pa autorizim të gjykatave apo të prokurorëve, dhe kjo gjë sjell reziqe serioze”, shton Zakharova. Ndërkohë, më herët presidenti Vladimir Putin tha se provokimi i Ukrainës është shtyrë nga Poroshenko për të fituar pikë në sondazhet për zgjedhjet presidenciale të 2019-s. Megjithatë kreu i shtetit të Ukrainës ka hedhur poshtë këtë pretendim./abcnews.al