TURIZMI/ Një polic vrau 7-vjeçaren me skafin misterioz, plas sherri mes Policisë së Shtetit dhe bashkive: Nano i kërcënon me burg

schedule13:58 - 5 Gusht, 2022

schedule 13:58 - 5 Gusht, 2022

Vrasja e 7-vjeçares  nga një efektiv policie me lidhje të dyshimta me narko trafikantët në Himarë si edhe presioni i madh publik për shkak të pasigurisë së madhe që kanë shkaktuar te qytetarët lidhjet e strukturave të caktuara të policisë me krimin kanë nxitur edhe një sherr të madh mes Policisë së Shtetit, bashkive bregdetare si edhe Agjencisë Kombëtare të Bregdetit.

Përmes një letre dërguar sot këtyre institucioneve, kreu i Policisë së Shtetit, Gledis Nano i kërcënon ata me burg në rast se nuk do të bashkëpunojnë për mirëmenaxhimin e zonave turistike dhe koordinimin për masat e marra.

Duke tentuar të theksojë se përgjegjësia për situata të tilla si ajo e Potamit nuk është vetëm e Policisë së Shtetit, por edhe e bashkive dhe agjencive të tjera ligjzbatuese, Nano kërkon prej tyre që të informojnë për masat që do të marrin në zonat turistike.

Në shkresën dërguar Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Nano kërkon që Policia e shteti të informohet për çdo parregullsi, teksa thekson se kjo gjë nuk është zbatuar nga institucionet.

“Policia e Shtetit si aktor i rëndësishëm në ruajtjen e rendit dhe sigurisë do të vijojë të ndërmarrë dhe penalizojë shërbime policore 24 në 24 orë, në të gjitha territoret e plazheve dhe zonave turistike. Për të arritur rezultate Policia e Shtetit duhet të informohet periodikisht mbi masat e marra nga institucionet përgjegjëse (detyrim i cili nuk rezulton të jetë zbatuar nga institucionet drejtpërdrejt përgjegjëse, për asnjë rast), të cilat lejojnë licensimin për zhvillimin e aktiviteteve dhe turizmit detar, pajisjen me leje drejtimi të pajisjeve motorike lundruese, përcaktimin e zonave të ndaluara për lundrim dhe ankorim të mjeteve lundruese, si dhe çdo aktivitet tjetër që lidhet me hapësirën detare. Duhet të informohen të gjitha organet ligjzbatuese për çdo shkelje apo moszbatim të ligjit nga çdo subjekt publik apo privat.”

Policia e Shtetit nuk mund të veprojë e vetme dhe as nuk mund të jetë e vetmja përgjegjëse, nëse hallkat ndërinstitucionale nuk bashkëpunojnë dhe nuk zbatojnë ligjin./abcnews.al/