Presidenti Amerikan Donald Trump njoftoi mbrëmjen e kësaj të marte se Shtetet e Bashkuara po shtyjnë afatin e përfundimit të një marrëveshje armëpushimi dy javore të arritur me Iranin, duke shmangur kështu përkohësisht sulmet e Shteteve të Bashkuara mbi këtë shtet. Përmes një postimi në Truth Social, Kreu i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se mori një vendim të tillë pas kërkesës së Pakistanit, vendit që po organizon bisedimet mes palëve.
“Bazuar në faktin se qeveria e Iranit është seriozisht e përçarë, jo në mënyrë të papritur, dhe me kërkesë të Marshallit Asim Munir dhe Kryeministrit Shehbaz Sharif të Pakistanit, na është kërkuar kërkuar të ndalojmë sulmin tonë të planifikuar vendit të Iranit deri në momentin që udhëheqësit dhe përfaqësuesit e tyre të mund të dalin me një propozim të unifikuar,” shkroi Trump në Truth Social.
Vetëm disa orë më parë presidenti Amerikan Donald Trump kishte deklaruar se nuk do të kishte një zgjatje të afatit dy javor të armëpushimit që do të skadonte të mërkurën, ndërsa kërcënoi Iranin se do të bombardonte centralet e tij në mbarë vendin.
Njoftimi për një zgjatje të armëpushimit vjen pasi Irani nuk pranoi të kthehej në tryezën e bisedimeve në Islamabad, kryeqytetin e Pakistanit duke bërë kështu që edhe delegacioni Amerikan të anulonte udhëtimin e tyre drejt shtetit negociator.
Teherani akuzon Shtetet e Bashkuara për thyerje të marrëveshjes së armëpushimit, me bllokadën ushtarake që kanë vënë ndaj Ngushticës së Hormuzit për portet e tyre. Pavarësisht njoftimit për një zgjatje të armëpushimit Presidenti Amerikan Donald Trump bëri të qartë se bllokada ushtarake në Hormuz për anijet dhe portet Iraniane do të vijojë, duke mbajtur kështu presionin ekonomik maksimal ndaj Teheranit.
Mediat Amerikane kanë raportuar se zyrtarët më të lartë të Administratës Trump po mbajnë një takim në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar refuzimin e Iranit për t’u ulur në tryezën e negociatave, ndërsa media Britanike The Telegraph raporton se Presidenti Amerikan Donald Trump mund të humbasë tërësisht durimin me Teheranin duke anuluar përfundimisht bisedimet diplomatike për të rinisur edhe një herë tjetër sulmet Ushtarake. Shtetet e Bashkuara kanë kërkesa kryesore në negociatat e tyre me Teheranin që Irani të heqë dorë nga prodhimi i uraniumit të pasuruar për krijimin e një arme bërthamore.


