Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se do t’u kërkojë vendeve evropiane të rimbursojnë paratë që Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar për ndihmën ndaj Ukrainës gjatë administratës së ish-presidentit Joe Biden.
Në një postim në Truth Social, Trump tha se “qindra miliarda dollarë” iu dhanë Ukrainës dhe NATO-s pa pagesë, ndërsa sipas tij Evropa duhej të kishte paguar për këtë mbështetje.
“Qindra miliarda dollarë iu dhanë Ukrainës dhe NATO-s, falas, për të cilat Evropa duhej të paguante – nëse do t’ua kishim kërkuar ne, por ne po ua kërkojmë këto para, megjithëse me njëfarë vonese”, shkroi Trump.
Megjithatë, presidenti amerikan nuk specifikoi se cilave vende evropiane do t’u kërkohet rimbursimi dhe as se si do të realizohet një kërkesë e tillë, nëse Uashingtoni vendos ta ngrejë zyrtarisht çështjen me qeveritë evropiane.
Në një tjetër deklaratë për mediat britanike, Trump foli edhe për kërcënimin që, sipas tij, paraqet Irani. Në një intervistë për GB News, presidenti amerikan tha se kishte “shpëtuar” Britaninë nga kërcënimi bërthamor, duke argumentuar se nëse Irani do të siguronte një armë bërthamore, mundësia që ajo të përdorej kundër një objektivi evropian do të ishte më e madhe sesa kundër Shteteve të Bashkuara.
“Po e shpëtoj edhe vendin tuaj nga kërcënimi”, deklaroi Trump, duke theksuar se aftësitë raketore të Iranit mund të arrijnë deri në Evropë.
Deklaratat e presidentit amerikan vijnë në një periudhë tensionesh të shtuara mbi ndarjen e barrës financiare dhe ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve evropianë, veçanërisht për mbështetjen ndaj Ukrainës dhe çështjet e sigurisë.
/abcnews.al/

