Trajneri i Kukësit ambicioz në Shkodër

schedule19:50 - 25 Janar, 2018

schedule 19:50 - 25 Janar, 2018

Trajneri i vetëm i huaj i kampionatit shqiptar, kërkon ta nisë me fitore aventurën e tij. Peter Pakult i Kukësit, ka besim tek suksesi në fushën e Vllaznisë.

Faza përgatitore ishte e shkëlqyer, por mbetet vetëm e tillë.

Peter Pakult, trajneri i Kukësit, e di se tani fillon prova e tij e vërtetë në stolin e kampionëve, me ndeshjen në fushën e Vllaznisë që paraqitet shumë e vështirë.
Sukseset në miqësore, edhe ndaj ekipeve me emër si Fenerbahçe apo Bursaspor kanë dhënë zemër dhe tekniku austriak ka besim tek futbollistët e tij, edhe pse duket pak i tensionuar në konferencën për shtyp.

Peter Pakult: “Jemi përgatitur shumë mirë në tre javët e kaluara dhe kemi bërë ndeshje të mira gjatë fazës përgatitore, por tani fillon kampionati dhe këto ndeshje janë diçka krejt tjetër. Duhet të jemi gati për takimin dhe ta befasojmë kundërshtarin, dhe natyrisht duhet të jemi shumë të përqëndruar dhe të motivuar që nga fillimi”.

Dëshira e Pakultit padyshim është që Kukësi të realizoi objektivat e tij, pra të fitojë mundësisht çdo ndeshje.

Gjithsesi, ai kërkon që sukseset të arrihen në atë mënyrë që e kënaq atë.

Peter Pakult: “Unë kërkoj nga ekipi që të bëjë lojë të mirë, ndonëse e di se 3 javë nuk janë shumë që të ndryshosh një skuadër. Lojtarët e dinë se çfarë kërkoj, jam trajner që dua vetëm të fitoj. Luajmë përballë Vllaznisë, një ekipi të rrezikshëm pavarësisht renditjes, ndërsa nuk e shoh si një duel mes meje dhe trajnerit Gjoka. Ai doli kampion me Kukësin dhe kaq, nuk merrem me kolegët”.

Kukësi kampion zhgënjeu në gjysmën e parë të sezonit, duke e përfunduar në vendin e katërt, 12 pikë prapa Skënderbeut kryesues./abcnews.al