Tirana rinovon flotën e autoambulancave

schedule18:25 - 7 Shkurt, 2019

schedule 18:25 - 7 Shkurt, 2019

Kryeqyteti është pajisur me flotën e re të autoambulancave, të cilat kanë aparatura moderne dhe do të ofrojnë shërbime në kohë në çdo banesë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në të gjithë vendin tashmë kemi 32 autoambulanca të reja për të përballuar çdo rast urgjence.

Kryeqytetit i është shtuar flota e re e autoambulancave, të cilat do të ofrojnë një standard të ri në shërbimin e urgjencës. Sipas drejtorit të Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj çdo spital universitar në Tiranë ka tashmë autoambulanca të mjaftueshme.

“Sot jemi në ditën e shpërndarjes së autoambulancave të reja për qytetin e Tiranës. Sic e kemi thënë dhe më parë, numri i autoambulancave që do të shpërndahen është 32, nga të cilat është hapi i parë i shpërndarjes në në qytetin e Tiranës të 9 të parave. Tre për çdo spital universitar të cilat më vonë do të pajisen me dy të tjera. Nga sot këto autoambulanca do të ofrojnë shërbimin e mirëpritur për qytetarët e Tiranës dhe në vazhdim të Shqipërisë”, tha Brataj.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në total janë 32 autoambulanca të reja në të gjithë vendin, për të përballuar çdo rast urgjence. Gjithashtu me riorganizimin e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, është mundësuar që numri i thirrjeve për ndihmë që priten falë sistemit të ri të integruar të 4-fishohet.

Falë kësaj gjatë 2018, 56% e pacientëve morën shërbimin shëndetësor në kohë dhe në banesë dhe 44% e tyre u transportuan për shërbim të specializuar në spital./abcnews.al