The Globalist: Shqipëria duhet të zgjedhë mes BE-së dhe Turqisë

schedule16:59 - 19 Maj, 2018

schedule 16:59 - 19 Maj, 2018

Në rubrikën e saj “Duke rimenduar Europën”, The Globalist, në një analizë shkruan se Shqipërisë i duhet të zgjedhë mes Bashkimit Europian dhe Turqisë. Kjo në një moment që presidenti turk Erdogan i sheh vendet e Ballkanit si një pre të lehtë.

Shqipëria duhet të zgjedhë mes Bashkimit Europian dhe Turqisë. Me këtë titull nis analizën e saj “The Globalist” në rubrikën ‘Duke rimenduar Europën’. Presidenti i Turqisë Erdogan, i sheh vendet e Ballkanit si një pre të lehtë dhe nën petkun e bashkëpunimit kulturor, ai është i vendosur që të fusë këto vende në sferën e tij të influencës, thuhet më tej në shkrim.

Shtetet e Ballkanit duhet të kuptojnë se perspektiva e tyre për rritje ekonomike, liri dhe demokraci të shëndoshë lidhen ngushtë me Bashkimin Europian dhe jo me Turqinë.

Duke iu rikthyer historisë së vendit tonë, më tej shkruhet se pavarësisht ndryshimeve të shumta në sistemin politik Shqipëria ka qenë një shtet sekularist që në vitin 1912. Dhe nëse Shqipëria vijon të ngatërrohet me Erdogan atëherë dera për anëtarësim në Bashkimin Europian do të mbyllet.

Presidentit të Turqisë i pëlqen të luajë sulltanin në një perandori iluzioniste otomane dhe kjo është arsyeja pse ai është kthyer nga vendet e Ballkanit, të cilat i sheh si pre shumë të lehta në vitet e fundit. Ai synon të ketë influencë sa më të madhe duke shpërndarë axhendën e tij islamike dhe në kuadër të këtij qëllimi Erdogan po investon ndjeshëm në infrastrukturat dhe institucionet fetare të këtyre vendeve.

Një vit më parë, në një intervistë për një televizion privat shqiptar Erdogan u shpreh se Turqia ka investuar me miliona dollarë në Shqipëri, dhe se nuk e dinte se sa kishte investuar Bashkimi Europian, por investimi turk do të vazhdonte.

Vendet e Ballkanit perëndimor prej kohësh në kërkim të marrëdhënieve afatgjata me Bashkimin Europian po përpiqen të bëhen pjesë e tij. Dhe në paketën e re të zgjerimit të rekomanduar nga Komisioni Europian, Shqipëria do të jetë e para nga këto vende që do të hapë negociatat për anëtarësim.

Kjo lëvizje vetëm sa ka përforcuar vendosmërinë e Turqisë për të treguar fuqinë ekonomike për të joshur Shqipërinë dhe shtetet e tjera të Ballkanit në orbitën e saj gjeostrategjike.

Investimet turke në Shqipëri janë selektive dhe të përllogaritura strategjikisht. Ato përfshijën privatizimin e bankës më të dytë të madhe në vend, ish-operatorin shtetëror të Telecom “Albtelecom” dhe atë të telefonisë celulare “Eagle Mobile” ndër të tjera. Qëllimi i Erdogan është që t’i japë Shqipërisë doza të vogla zhvillimi ekonomik në mënyrë që vendi të dorëzohet.

Gjithsesi, Shqipëria po sheh përpara drejt Bashkimit Europian. E ky i fundit ka paralajmëruar vendin tonë të ketë kujdes në atë që dëshiron dhe të mos lejojë Erdogan që të dominojë në vend. Bashkimi Europian nuk do të lejojë asnjë anëtar të ri që mund të ketë lidhje të forta me Erdogan, e veçanërisht tani që Presidenti turk e ka bërë të qartë se synon të dominojë Ballkanin.

Por kjo duket se nuk ka shqetësuar aspak kryeministrin shqiptar, Edi Rama. I njohur për lidhjet e tij të ngushta me Erdogan, ai ishte i vetmi lider nga Europa që mori pjesë në dasmën e vajzës së Presidentit turk. Dhe aktualisht ai po negocion për ndërtimin e një aeroporti turistik në Vlorë.

Erdogan në vitin 2015 inaguroi xhaminë e madhe të “Namazgjasë,” e cila është më e madhja në Shqipëri dhe u financua nga presidenca turke e çështjeve fetare. Kjo ishte dhe një provë e qartë e axhendës islamike të Erdogan në Shqipëri, vijon më tej shkrimi

Ndër të tjera në shkrim citohet dhe deklarata e ministrit të Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, në Nju Jork, ku këmbëngulte se nuk ishte e vërtetë se Turqia kishte ndërtuar xhaminë më të madhe në Shqipëri, e që xhamia ishte ndërtuar për të përmbushur nevojat e besimtarëve myslimanë. Ai gjithashtu refuzoi të pranonte se me dhjetëra xhami të reja në Shqipëri janë financuar nga Turqia.

Bashkimi Europian vijon të deklarojë se të drejtat e njeriut, liria dhe qeverisja demokratike janë kushte të panegociueshme për çdo vend që synon anëtarësimin. Thënë kjo, nëse Shqipëria do të vazhdojë të ngatërrohet me Erdoganin, dera për anëtarësimin në Bashkimin Europian do të mbyllet./abcnews.al