“Territorialja”, ekspertët: Nuk është problem konfigurimi por kompetencat e bashkive

schedule16:45 - 22 Tetor, 2021

schedule 16:45 - 22 Tetor, 2021

Nga Erneta Shevroja

Politika nuk duhet të përqendrohet në rikonfigurim të territorit, ndërsa është duket hedhur në letër idenë për reformën administrative territoriale. “Do të ishte një humbje mundësie po të përqendroheshin vetëm tek një konfigurim territorial dhe as tek përfaqësimi politik”, thekson Urbanisti Dritan Shtuina. “Ne na duhet një vazhdimësi territoriale. Problemet me të cilat ne përballemi janë dhe do të jenë aty nëse ne nuk do e adresojmë atë në mënyrë më integrale”.

Për urbanistin Gent Kaprata harta territoriale aktuale është një kthim prapa sa i përket mundësive për zhvillim që dha. E domosdoshme, sipas tij, është delegimi i pushtetit tek qeverisja lokale. “Duhet urgjentisht të decentralizojmë nëse do të bëjmë një reformë prej vërteti, decentralizimin e pushtetit. Kjo sjell decentralizimin e popullsisë dhe kjo sjell zhvillimin e qyteteve”. Kjo sipas ekspertit do të ndalonte përqendrimin e popullsisë vetëm në Tiranë.

Opozita ka hedhur idenë e shtimit të numrit të bashkive, por sipas ekspertëve politika këtë duhet ta përcaktojë pasi të ndajë kompetencat që pushteti vendor do të ketë. “Më bashki më shumë apo me bashki më pak ne do të vazhdojmë të kemi të njëjtat probleme për arsye të asimetrisë së zhvillimit që kemi në territor. Do kesh bashki me territor dhe bashki të madhe, të cilat do të kenë më tepër mundësi, se sa territore që nuk e kanë qoftë popullatën, qoftë mundësi ekonomike”. Ndërsa palët politike janë dakordësuar për bërjen e një reformë të re territoriale, deri më tani është vetëm PD që ka propozuar rikthimin e komunave./ Abcnews.al