Të shtëna me armë ndaj një grupi qytetarësh në Zubin Potok në Kosovë, policia jep detaje

schedule13:02 - 9 Maj, 2021

schedule 13:02 - 9 Maj, 2021

Një incident ka ndodhur këtë të dielë në Kosovë ku një grup qytetarësh që kishin dalë për ecje në në zonën e Zubin Potokut, janë sulmuar me armë zjarri.

Mediat vendase bëjnë me dije se të shtënat me armë kanë qenë në drejtim të grupit prej 50 personash të organizuar nga “Kosovo Mountain Club”.

Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar policia që ka konfirmuar se të shtënat janë shënuar në afërsi të qytetarëve.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Veriut, Besim Hoti, tha se nga të shtënat me armë zjarri nuk është lënduar asnjë person, ndërsa gjatë rrugës kanë hasur në një patrullë policore dhe e kanë njoftuar për rastin.

Diku rreth 40 persona me autobus në mënyrë të organizuar, kanë ardhur nga ana e Zubin Potokut, me vazhdu ecjen nëpër male, sipas tyre dikush ka shtënë me armë zjarri në afërsi të tyre dhe janë kthyer nga aty. Nuk është lënduar askush dhe nuk ka dëme të raportuara. Në kthim prapa e kanë taku një patrullë policore dhe i kanë shpjegu rastin, në stacionin policor nuk kanë pranuar të shkojnë me arsyetimin që deklaratat me i jep në Prishtinë”, ka thënë Hoti./abcnews.al