“Të shkojë gjaku në gju”, 5 familje kërkojnë ndihmë në “ABC News”: Duan të na shembin shtëpitë për parkim

schedule14:58 - 19 Shkurt, 2020

schedule14:58 - 19 Shkurt, 2020

Një projekt për reabilitimin e lagjes 1 të qytetit të Pogradecit do hedhë në rrugë 5 familje autoktone. Sapo kanë mësuar që në muajin prill shtëpitë do t’ju shemben ata kanë bërë disa ankesa në institucionet qendrore dhe në Bashkinë e Pogradecit por s’kanë gjetur zgjidhje.

Madje ata dyshojnë se shembja e shtëpive të tyre nuk ka lidhje me reabilitimin por me një parkim që i duhet pallatit shumëkatësh që kanë përbri. Ndaj dhe kërkuan ndihmën e “ABC News” për të bërë publik problemin.

Shteti do ta marrë dhe do ti lirojë rrugën privatit të bëjë parkim.

“Kërkojmë banesë jo shpronësim. Duan të bëjnë parkim. Ç’të bëj me 11 milionë të cilat kanë thënë se do na i japin, as një banjë nuk bëj dot me aq para”, shprehen ata.

Këta banorë pretendojnë se kanë kontaktuar dhe kryeministrin Rama.

 “Përse nuk i dha Bashkia e Pogradecit përgjigje Edi Ramës. Më ktheu përgjigje Edi Rama dhe më tha se Bashkia e Pogradecit nuk më ka dhënë arsyen se përse do të shemben shtëpitë. Kemi faj ne si popull që i votojmë”, u shpreh qytetarja.

Për ditë me radhë kanë qëndruar edhe në dyert e Bashkisë, por siç thonë ata janë përcjellë pa asnjë zgjidhje.

 “Kemi shkuar në Bashki dhe shoku Paskal na gënjen me fjalë të bukura”, shprehen banorët.

Grupi i xhirrimit të “ABC News” pasi dëgjoi ankesat e këtyre banorëve që përgjatë gjithë kohës u përpoqën të na bindnin me çertifikatat e pronësisë në duar se e kanë tokën dhe shtëpinë e tyre shkuam pranë Bashkisë. Nënkryetari Paskalino Ziko, sqaroi se projekti është miratuar kur bashkia drejtohej nga Partia Demokratike.

 “Është një proces i nisur para dy vitesh kur administrata e mëparshme e Bashkisë së Pogradecit kishte hartuar një projekt për rehabilitimin e lagjes numër një. Ky projekt prekte edhe disa prona private”, tha nënkryetari Ziko.

Këta banorë vënë ultimatum dhe kërcënojnë deri në vdekje.

“Do e mbrojmë me gjak, do ngujohemi. Nuk dal nga shtëpia edhe po të hipin fadromat sipër, gjaku deri në gju të shkojë. Ne të vdekur jemi, nuk kemi shtëpi tjetër”, tha më tej banorët./abcnews.al