Të mbyllur në shtëpi, por shqiptarët nuk hoqën dorë nga kafeja: Importet shënojnë rekord historik në prill

schedule09:31 - 25 Maj, 2020

schedule 09:31 - 25 Maj, 2020

Në gjysmën e parë të marsit dhe në prill, shqiptarët, ashtu si gjithë shtetasit e vendeve të e tjera u përballën me një situatë të paparë ndonjëherë. Iu desh të mbylleshin në shtëpi, teksa gjithçka u mbyll, bashkë me baret dhe restorantet.

Për një vend si Shqipëria, që zë rekord përsa i përket numri të lartë të bar kafeve në raport me popullsinë, me 518 bare për 100 mijë banorë dhe ku kafeja ishte një normë sociale ndërveprimi, qëndrimi në shtëpi dhe pa kafe ishte një “torturë” e vërtetë.

Në fakt, të dhënat e importeve të kafesë në mars dhe prill tregojnë se shqiptarët nuk e kanë ulur aspak konsumin e kafesë, përkundrazi, në shtëpi apo në zinxhirët e tregtimit të kafeneve, nuk kanë ndenjur pa konsumuar produktin e preferuar.

Të dhënat e Ministrisë së Financave bëjnë të ditur se në janar-prill u importuan gjithsej rreth 2,700 ton kafe, me një rritje prej 9.4% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Por, rekordi është shënuar në prill, kur importet e kafesë arritën në 922 ton, që është niveli më i lartë historik që është shënuar ndonjëherë këtë muaj (shih grafikun). Në raport me gjithë muajt e tjerë, ky është niveli i tretë më i lartë i importeve në 20 vitet e fundit, me përjashtim të dhjetorit 2016 dhe 2018, sipas statistikave të Ministrisë së Financave.

Nga 18 maji janë hapur dhe baret e restorantet dhe rituali i kafesë në lokale është kthyer sërish, ndonëse zakoni I konsumit të kafesë në shtëpi duket se do të mbetet.

Ndërkohë, e ardhmja pritet të jetë e vështirë për baret e restorantet. Enri Jahaj, anëtar i bordit drejtues të Shoqatës të Bareve, Restoranteve dhe Klubeve, pohon se rregullat strikte për distancimin fizik dhe orari i kufizuar do të falimentojnë biznesin e bareve dhe restoranteve. Për të, perceptimi i përgjithshëm është që qytetarët kanë ndryshuar sjelljen sociale dhe takimet me njerëzit janë jonormale për shkak të distancimit. Imagjinoni – thotë ai – se sa ka ndryshuar perceptimi te një biznese ku 50% e zë produkti dhe 50% shërbimi.

/Monitor