Të infektuarit në Shkodër, Ademi akuzon Ramën: Strategji kriminale, dështimin e tij ia faturon qytetarëve

schedule17:02 - 6 Prill, 2020

schedule 17:02 - 6 Prill, 2020

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi ka reaguar lidhur me rritjen e shpejtë të qytetarëve që janë prekur me COVID 19 në këtë qytet.

Në një deklaratë për mediat kryebashkiakja e Shkodrës është shprehur se  kryeministri Rama në vend që të bëjë testime dhe hetimin epidemiologjik, po fajson qytetarët.

Këtë strategji, ajo e ka quajtur kriminale dhe kërkoi prej qeverisë ti shkojë në ndihmë qytetarëve të Shkodrës.

Pjesë nga deklarata:

Sot Edi Rama dërgoi në Shkodër gjeneralin pa spaleta që ka vënë në krye të Ministrisë së Brendshme për të sulmuar shkodranët. Dështimin e tij edhe në menaxhimin e një situate të rrezikshme dhe që lidhet direkt me jetët e shqiptarëve, Rama po përpiqet t’ua hedhë qytetarëve të Shkodrës.

Është një strategji e ulët e qeverisë, deri në kriminale, të cilën unë e kam denoncuar publikisht prej ditësh. Kryeministri, përmes ministrit të tij të brendshëm, po mundohet të fshehë dështimin në hetimin epidemiologjik dhe në testimin e qytetarëve, në përballimin e krizës shëndetësore dhe ekonomike. Është botërisht e ditur se në këtë situatë, as përsa i përket testimit e as hetimit epidemiologjik, e as sistemit shëndetësor, bashkitë nuk kanë asgjë në dorë.Bashkia e Shkodrës ka bashkëpunuar dhe ka bërë gjithçka që ka në dorë, në mundësitë e kapacitetet e veta, për lehtësimin e barrës së COVID-19 për qytetarët e saj dhe do të vazhdojë ta bëjë atë pa ndërprerje.

Shkodra është një nga qytetet që  me qytetarinë e vet ka bërë dhe po bën përpjekjen e saj për respektimin e masave të distancimit social, pavarësoisht problemeve shumë të mëdha ekonomike. E pa sot në tregun e Rusit në Shkodër edhe Sandër Lleshaj, i cili e pranoi publikisht se ka më shumë shitës se blerës.

Rama e sejmeni i tij që kishte ardhur me një mision të caktuar politik në Shkodër, e dijnë mirë se janë familje të e familjarë që kanë patur kontakte me të infektuar, e të tjerë që prej ditësh kanë telefonuar numrin 127,  dhe që u është refuzuar testimi.

Ai e di mirë se një person, të shtunën, ka humbur jetën në Spitalin e Shkodrës, pa mundur as të dërgohet në Tiranë për shkak të neglizhencës, duke ngjallur panik dhe pasiguri tek stafet mjekësore e pacientët e spitalit.

Edi Rama e di mirë se shkodranët nuk kanë marrë asnjë pagesë nga fondi i deklaruar për situatën e Fatkeqësisë Natyrore, u është shkurtuar numri i familjeve me ndihmë ekonomike, iu dha vetëm një muaj ndërsa iu premtuan dy muaj pagesë, u janë sjellë deri tani 200 pako ndihmë ushqimore për 250 mijë banorë.Shkodranët e panë me sytë e tyre se, me urdhër politik, Këshilli Bashkiak monist, nuk miratoi paketën e lehtësive financiare të propozuara nga ana ime. Prandaj, iu bëj thirrje publike të mos përdorë ministrin e tij të brendshëm për të sulmuar qytetarët e Shkodrës./abcnews.al