Sulmet e Ramës, Basha: Unë di t’i përgjigjem mirë, por nuk merrem me të

schedule12:36 - 11 Prill, 2021

schedule 12:36 - 11 Prill, 2021

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha gjatë një takimi me familje të vjetra në Elbasan ka komentuar edhe sulmet e kryeministrit Edi Rama.

Basha tha se ka vendosur që të mos merret me deklaratat e kryeministrit jo se nuk di t’i përgjigjet, por sipas kryedemokratit nuk dëshiron ta kthejë në betejë personale.

“E keni parë që nuk merrem me të. Ai kujton se nuk di ti përgjigjem. Unë di ti përgjigjem shumë mirë. Por kjo nuk është betejë e imja dhe e tij. Ai do ta kthejë në një betejë personale.

Asgjë e mirë nuk arrihet me sajesa dhe gënjeshtra. Mund të gënjehesh një javë, por vjen momenti që nuk e shtyn dot më. Në Europë nuk shkohet me sajesa dhe gënjeshtra. Ne e dimë dhe e njohim mirë këtë rrugë. Mu ngarkuan detyra për të arritur diçka që askush nuk e besonte heqjen e vizave për shqiptarët. Nuk na ra nga qielli. Besimi që Shqipërisë ti hiqeshin vizat na kushtoi një punë të jashtëzakonshme mbi 15 kushte për t’u përmbushur,” tha Basha. g.v/abcnews.al