Një numër i madh i fermerëve veçse e kanë rrethuar objektin e qumështores “Vita”, pasi morën lajmin se kompania do të mbyllet, të paktën për shtatë ditë.
Siç raporton gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresa Bellagoshi, ky vendim i kompanisë erdhi pasi që Inspektorati zbarkoi në këtë objekt me një numër të madh të zyrtarëve, me arsyetimin që duhej ta bënin një inspektim me urdhër të ministrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja, transmeton Klankosova.tv.
Drejtoi gjeneral i qumështores “Vita” në Istog, Artan Spahija, për Klan Kosova tha se vendimi për vetëmbylljes e kompanisë, erdhi pas vendimit, siç e quan ai, politik, të ministrit Muja.
“Kjo është politike, kjo po dihet. Para pak çastesh ministri tha se ‘do ta shini se çka po hani e çka po pini’. Unë i them live ministrit, se a duhet të shkruaj [tregon paketimin e qumështit] qumësht, apo ‘mleko’. Ne e shkruajmë qumësht, se këta djem na japin këtë qumësht. Sot i bëj thirrje publike, në cilindo emision, që të ketë debat direkt me mua”, u shpreh ai në Klan Kosova.
Ndër të tjera, Spahija premtoi se fermerët dhe punëtorët e “Vitës” nuk i lënë anash asnjëherë.
Ndërsa sa i përket inspektimit të sotëm, Spahija tha se nuk ka pasur asnjë gjetje.



