Presidenti amerikan Donald Trump ka ashpërsuar ndjeshëm retorikën ndaj Iranit, duke deklaruar se nuk është i interesuar për një marrëveshje të re paqeje me Teheranin, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë sulme të reja ndaj objektivave iraniane pranë Ngushticës së Hormuzit.
Në një postim në Truth Social, Trump tha se nuk i intereson nëse Irani nënshkruan një marrëveshje, duke e cilësuar një marrëveshje të tillë si të pavlefshme. Sipas tij, pozita e Shteteve të Bashkuara është aktualisht shumë më e favorshme.
“Na pëlqen shumë më tepër pozicioni ynë tani, me kontroll pothuajse të plotë mbi Ngushticën e Hormuzit dhe ekonominë e tyre që po shembet”, shkroi Trump.
Më pas, ai shtoi: “Ata thjesht po përjetojnë të pashmangshmen”, transmeton Telegrafi.
Deklaratat vijnë pas një vale të re sulmesh amerikane ndaj Iranit. Komanda Qendrore e SHBA-së, CENTCOM, tha se sulmet kishin për qëllim objektivat e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike dhe erdhën pas përpjekjeve të Iranit për të sulmuar anije tregtare në Ngushticën e Hormuzit dhe forcat amerikane të dislokuara në rajon.
Sipas zyrtarëve amerikanë të cituar nga Axios, dy cisterna në pronësi të qeverisë iraniane u goditën gjithashtu gjatë operacionit, duke shënuar një përshkallëzim të rëndësishëm në strategjinë amerikane ndaj Teheranit.
Trump kishte paralajmëruar më herët se nëse Irani do të hakmerrej ndaj sulmeve amerikane, përgjigjja e Uashingtonit do të ishte edhe më e ashpër.

