Suarez: Fituam një “betejë” ndaj Eibar. Titulli? Dy kushtet për t’ia dalë

schedule15:43 - 22 Janar, 2021

schedule 15:43 - 22 Janar, 2021

Atletico Madrid vazhdon të marshojë drejt titullit kampion. Ekipi i Diego Simeones triumfoi 1-2 me përmbysje në fushën e Eibar, falë dygolëshit të Luis Suarez. Diferenca me Realin e vendit të dytë ka shkuar 7 pikë, teksa “El Pistolero” ndan me Leo Messin kreun e golashënuesve më të mirë në La Liga (nga 11 gola).

Bomberi uruguaian analizoi suksesin e fundit në kampionat, duke dhënë një mesazh për shokët e skuadrës. “Duhet ta kemi gjithmonë të qartë që fitorja e një ndeshje nuk është kurrë e thjeshtë. E dinim se sa e vështirë do ishte të sfidonim Eibar në fushën e tyre. Ishte një luftë e vërtetë, hasëm vështirësi në krijimin e rasteve. Në fund ia dolëm të fitonim.

Titulli? Kemi një avantazh pikësh me Realin dhe Barcelonën, por nuk duhet ta humbasim përqendrimin për asnjë moment. Nëse ia dalim të mbetemi të lidhur me njëri-tjetrin dhe të vëmendshëm, mund të bëjmë gjëra të mëdha.

Objektivi ynë është të fitojmë çdo takim dhe të mos e lëshojmë vendin e parë. Kur erdha këtu, e dija që po vija te një klub i rëndësishëm që lufton për trofe. Shifrat e mia të golave nuk kanë vlerë, rëndësi ka të ndihmoj skuadrën për të fituar“, deklaroi Suarez. /abcnews.al