Studimi: Koronavirusi në New York erdhi nga Europa

schedule11:20 - 9 Prill, 2020

schedule 11:20 - 9 Prill, 2020

Një studim i ri tregon që shumica e rasteve të Covid 19 në New York – shteti më i goditur në SHBA – vinin nga udhëtarët në Europë, jo nga Azia raporton New York Times.

Studiuesit në NYU Langone Health thanë që ata kanë analizuar 75 mostra nga pacientët që u diagnostikuan me Covid-19, sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi  në spitalet e zonës në New York muajin e kaluar.

Rreth dy të tretat e mostrave duket se kanë origjinë europiane, tha Adriana Heguy, drejtore e Qendrës Teknologjike të Gjenomit në qendrën mjekësore. Virusi duket se është importuar në New York nga Britania e Madhe dhe disa vende europiane, duke përfshirë Francën, Austrinë dhe Hollandën, tha ajo.

Sekuencat e gjenomit  tregojnë afërsisht se si përhapet një virus në të gjithë botën duke ekzaminuar mutacione të vogla në një sekuencë gjenesh të patogjenit, pasi ai transmetohet nga një person në tjetrin. Në rastin e koronavirusit, ARN-ja e së cilës përbëhet nga rreth 30,000 baza gjenetikea, pëson  mutacion rreth dy herë në muaj.

 

Një ekip i veçantë në Shkollën e Mjekësisë në Grosman të NYU arriti në një përfundim të ngjashëm, pavarësisht se studionte një grup të ndryshëm rastesh.

Më 31 janar Presidenti Trump ndaloi shtetasit e huaj të hyjnë në vend nëse ata më parë kishin qenë në Kinë dhe vetëm në mars ai pezulloi fluturimet me shumicën e vendeve europiane.

Në Shtetet e Bashkuara nga koronavirusi më 8 prill kanë vdekur 1,973 persona. Numri i përgjithshëm i vdekjeve ka arritur në 14,600.

Tani, Shtetet e Bashkuara janë vendi i dyti me më se shumti vdekje, pas Italisë. E treta në listë është Spanja.

Shteti i Nju Jorkut, epiqendra e krizës së koronavirusit në SHBA, konfirmoi të mërkurën një tjetër rekord të vdekjeve nga COVID-19.

Mjekët dhe infermierët u shprehën të shqetësuar me shpejtësinë me të cilën pacientëve po u përkeqësohej gjendja shëndetësore dhe po vdisnin.

Vetëm në këtë shtet janë shënuar 6,268 vdekje nga koronavirusi.

Në total, numri i personave të infektuar me virus në botë ka tejkaluar 1.5 milion./abcnews.al